Mbappe ndihet i izoluar në Francë, Zidane synon t'i rregullojë raportet me kapitenin

Zinedine Zidane ka përpara një detyrë delikate në drejtimin e Francës. Përveç ndërtimit të një skuadre konkurruese, trajneri duhet të menaxhojë edhe raportet me yllin kryesor të ekipit, Kylian Mbappe, pasi sipas mediave franceze mes tyre kanë lindur tensione.

Shkaku kryesor lidhet me vendosjen taktike të sulmuesit. Në ndeshjen ndaj Turqisë, Zidane e aktivizoi Mbappen në krahun e majtë, duke ia besuar pozitën e qendërsulmuesit Ousmane Dembeles.

Futbollisti i Real Madridit nuk ishte i kënaqur me këtë rol, pasi dëshiron të luajë në qendër, ku është pozicionuar edhe te klubi madrilen.

Por problemet nuk kufizohen vetëm te aspekti taktik. “L’Équipe” raporton se komunikimi mes Zidane dhe Mbappes ishte shumë i kufizuar gjatë grumbullimit të fundit.

Për më tepër, kapiteni francez thuhet se ndihet gjithnjë e më i izoluar në dhomën e zhveshjes, ndërsa marrëdhëniet e tij me disa bashkëlojtarë janë komplikuar pas polemikave me Dembelen rreth Topit të Artë.

Zidane është i vetëdijshëm se duhet ta afrojë më shumë kapitenin dhe të shmangë përshkallëzimin e situatës.

Për dy ndeshjet e ardhshme, ndaj Italisë dhe Turqisë, Mbappe pritet të luajë si sulmues qendror.

Kjo mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, por sfida e vërtetë për trajnerin do të vijë kur Dembele të rikthehet dhe të gjithë yjet e Francës të jenë në dispozicion.