KDI: Sinjalizuesit e keqpërdorimeve të mbështeten dhe fuqizohen me ligj dhe ndihmë nga shteti

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit ku u shtrua nevoja e ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Kosovë për të lehtësuar zbatimin e tij në praktikë dhe për të përafruar ligjin me standardet e Direktivës së BE për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Nga KDI-ja u kërkua specifikisht që të lejohet edhe sinjalizimi anonim i cili me ligjin aktual nuk është i mundshëm. Po ashtu u kërkua që për punonjësit e sektorit publik e privat të hiqet kushtëzimi që ata t’i raportojnë keqpërdorimet që prekin interesin publik fillimisht brenda institucionit ku punojnë. Për shkak që sinjalizimi mund të jetë një proces sfidues, i kushtueshëm dhe i gjatë, KDI-ja kërkon që shteti të garantojë mbështetje psikologjike dhe ndihmë juridike falas për personat që marrin guximin të raportojnë keqpërdorime në të mirë të interesit publik.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni tha se “do të synohet që vitin tjetër Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve të rihapet dhe ndryshimet të jenë rezultat i vlerësimeve ex post të ligjit, për të cilin tha se ai do të angazhohet personalisht. Ai shtoi se roli i sinjalizuesve në shoqëri është shumë i rëndësishëm në ekspozimin e keqpërdorimeve dhe korrupsionit në sektorin publik.

Në anën tjetër, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, përmendi sfidat në zbatimin e këtij ligji në sektorin publik e privat, duke ngritur nevojën që zyrtarët që janë caktuar për të trajtuar rastet e sinjalizimit në institucione të trajnohen më shumë dhe t’a kuptojnë më mirë rolin e tyre. Ai shtoi se ndryshimet ligjore janë të nevojshme, por vetëm në pjesët ku ka pas probleme gjatë zbatimit në praktikë.

Në diskutime kontribuuan edhe partnerët nga degët e Transparency International nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, të cilët treguan perspektivat e vendeve të tyre në lidhje me mbrojtjen e sinjalizuesve dhe hapat drejt përafrimit të legjislacionit të tyre me Direktivën e BE-së.

KDI-ja për më shumë se 15 vjet vazhdon të ofrojë ndihmë juridike falas për të gjithë sinjalizuesit dhe përmes raporteve të saj të monitorimit të këtij ligji në sektorë të ndryshëm të kontribuojë në përmirësimin e praktikave dhe legjislacionit në këtë fushë.