De la Fuente e mbron Yamalin pas kritikave: S’ia vlente ta rrezikonim shëndetin e tij

Lamine Yamal nuk do të jetë me Spanjën në udhëtimin drejt Çekisë, por pritet t’i bashkohet përfaqësueses të premten për përgatitjet e ndeshjes ndaj Anglisë.

Ky vendim ka shkaktuar polemika në opinionin sportiv spanjoll, ku disa e kanë akuzuar yllin e Barcelonës se po zgjedh përballjet në të cilat dëshiron të luajë.

Gazetari Edu Aguirre e kritikoi ashpër këtë situatë, duke thënë se një futbollist që mungon në ndeshjen e parë nuk duhet të paraqitet vetëm në të dytën.

Edhe Miguel Talavera ngriti shqetësimin se një trajtim i tillë mund të krijojë idenë se lojtarët e mëdhenj kanë privilegje të veçanta.

Megjithatë, Luis de la Fuente nuk pranoi që vendimi të interpretohet si zgjedhje personale e futbollistit. Përzgjedhësi spanjoll shpjegoi se Yamali kishte disa shqetësime fizike dhe se stafi vendosi të mos rrezikonte me aktivizimin e tij në Çeki.

“Ai ishte i gatshëm të luante dhe, nëse do të kishim pasur ndonjë urgjencë, me siguri do ta kishim aktivizuar. Por nuk ia vlente të merrnim rrezik. Fillimisht mendojmë për shëndetin e tij dhe pastaj dëshirojmë që të jetë në gjendjen më të mirë për ndeshjen e së dielës”, deklaroi De la Fuente. /Zëri