Tahiri: Raporti i Progresit duhet të lexohet me kujdes, evidenton mungesë progresi dhe ndikime në drejtësi

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka thënë se Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian nuk duhet të shihet si dokument i opozitës ose i ndonjë partie politike, por si vlerësim për Republikën e Kosovës.

Duke folur në seancën e Kuvendit ku po diskutohet raporti i sivjetmë i BE-së, Tahiri tha se në të përfshihen konstatime që duhet të shqetësojnë të gjithë.

“Raporti i Progresit nuk është dokument i opozitës, nuk është shkruar për t’i shërbyer asnjë partie politike, është vlerësim për interesin e Republikës së Kosovës dhe duhet të lexohet me kujdes”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se Kosova nuk ka nevojë për institucione që i shërbejnë pushtetit, por për një pushtet që u shërben institucioneve.

“Raporti konstaton mungesë progresi, për më tepër paralajmëron për ndikime të padrejta në drejtësi. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve”, tha Tahiri. /Zëri