Murati arsyetohet për inflacionin: Shkaktarë janë lufta në Ukrainë dhe bllokada në Ngushticën e Hormuzit

Ministri Hekuran Murati është përballur me kritika në mbledhjen e Komisionit për Buxhet lidhur me situatën ekonomike në vend.

Murati ka thënë se është “problem’’ rritja e kostos së jetesës në Kosovë, porse kjo ka ndodhur për shkak të luftës në Ukrainë dhe bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.

“Sa i përket inflacionit, duhet të them që patjetër është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Dhe kjo ka kryesisht dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditje globale të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik, ku për shkak të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit ka pasur një tronditje globale sa i përket furnizimit me derivate dhe energji. E kjo ndikon në valë të re të rritjes së çmimeve gjithandej botës. Është fenomen që ndodh në të gjitha shtetet e botës. Si qeveri çfarë jemi munduar të bëjmë është t’u qëndrojmë qytetarëve afër”, ka thënë ai. /eo