Raporti i KE-së, Arifi: Kosova me progres të kufizuar, integrimi evropian nuk bëhet vetëm me deklarata

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka kritikuar ritmin e reformave në Kosovë, duke vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian (KE) për vitin 2026 pasqyron probleme të vazhdueshme në funksionimin e institucioneve, zbatimin e ligjeve dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

Arifi ka thënë se Kosova nuk ka shënuar përparim të konsiderueshëm në fushat kryesore, ndërsa ka theksuar se vlerësimet e Komisionit Evropian duhet të shërbejnë si thirrje për reflektim institucional dhe shoqëror.

Sipas tij, krahasimi i raporteve të viteve 2024, 2025 dhe 2026 tregon se vendi vazhdon të përballet me sfida të ngjashme, pa ndryshime thelbësore në politikat publike.

“Nëse i analizojmë të tri raportet, 2024, 2025 dhe 2026, thuhet identik, pra nëse e marrim në total ka pasur progres të kufizuar, të limituar”, ka deklaruar Arifi.

Ai ka kritikuar mungesën e rezultateve më të prekshme, duke vlerësuar se progresi i kufizuar, pas disa vitesh qeverisjeje, duhet të nxisë debat më serioz për përgjegjësinë institucionale.

“Raporti i Progresit është një certifikim i gjendjes reale, të cilën ne veç e dimë”, ka thënë ai.

Raporti i Komisionit Evropian, i publikuar më 4 nëntor 2026, evidenton se fragmentimi politik dhe kriza e zgjatur institucionale kanë penguar zbatimin e reformave të rëndësishme për procesin e integrimit evropian.

Në dokument përmenden gjithashtu mungesa e progresit në funksionimin e gjyqësorit dhe disa zhvillime shqetësuese në sundimin e ligjit.

Një tjetër çështje që Arifi e ka veçuar është trajtimi i mediave dhe liria e shprehjes.

Sipas tij, në raportin e këtij viti janë evidentuar shqetësime që lidhen me qasjen e përfaqësuesve të pushtetit ndaj mediave.

Ai ka vlerësuar se përmendja e kryeministrit dhe ministrave në kontekstin e presionit ndaj mediave përbën një zhvillim që duhet të trajtohet me seriozitet.

“Mirëpo kësaj radhe është një gjë interesant që përmendet, kryeministri, ministrat përshmbull për implikim serioz ndaj mediave, fjalës së lirë... Kjo është një çështje që duhet adresuar, pse ka ndodhur dhe pse po ndodh dhe cili është tolerimi që po bën pushteti që të ndodh kjo gjë”, ka deklaruar Arifi për Telegrafin.

Duke folur për ndikimin që vlerësimet e Komisionit Evropian mund të kenë në raportet e Kosovës me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Arifi ka thënë se zhvillimet e brendshme politike ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin ndërkombëtar të vendit.

“Çdo gjë që e prodhojmë në politikën e brendshme, ajo reflektohet edhe në politikën e jashtme”, ka theksuar ai.

Sipas Arifit, shtetet anëtare të BE-së i marrin seriozisht raportet e Komisionit Evropian në vlerësimin e përparimit të vendeve që synojnë anëtarësimin.

Ai ka kritikuar gjithashtu dallimin ndërmjet deklarimeve politike për orientimin proevropian të Kosovës dhe përmbushjes konkrete të standardeve që kërkon Bashkimi Evropian.

“Ne themi që jemi vendi më proevropian, por kjo është deklarative, jo përmbajtjesore”, është shprehur Arifi.

Arifi ka theksuar se procesi i integrimit evropian nuk duhet të kuptohet vetëm si miratim i legjislacionit, por si transformim i përgjithshëm institucional dhe shoqëror.

Sipas tij, Kosova duhet të përqendrohet më shumë në zbatimin e ligjeve, përmirësimin e arsimit dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

“Bashkimi Evropian nuk është vetëm votim i disa ligjeve. Integrimi evropian është transformim shoqëror. A po ndodh ky transformim shoqëror? Jo. A kemi reforma serioze në arsim? Jo. A kemi një njëri nga politika i cili as nuk shkon tek prokurori kur e fton si dëshmitar? E kemi. Ky është mentaliteti. Njëra nga shprehjet e BE-së është që ‘Kosova ka ligje të mira, por zbatueshmëria lë shumë për të dëshiruar’”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se një prej problemeve kryesore mbetet hendeku ndërmjet miratimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Duke folur për përgjegjësinë institucionale, Arifi ka theksuar se Qeveria dhe Kuvendi duhet të jenë bartësit kryesorë të reformave dhe të krijojnë standarde të përgjegjshmërisë që ndikojnë në të gjithë shoqërinë.

Ai po ashtu ka vlerësuar se përparimi drejt Bashkimit Evropian varet në masë të madhe nga gatishmëria e institucioneve dhe shoqërisë kosovare për t'i zbatuar reformat e kërkuara.

“Unë besoj që integrimi është në dorën tonë. A dëshirojmë ne ta bëjmë apo jo?”, ka përfunduar Arifi.