Rama: Serbia duhet ta pranojë Kosovën si realitet, s’ka kthim pas
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend paqedashës dhe se gjatë dekadës së fundit është angazhuar aktivisht për nxitjen e bashkëpunimit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor, ndërsa e cilësoi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si një çështje ende të pazgjidhur.
Gjatë bashkëbisedimit sot në Forumin e Paqes në Paris, Rama u pyet se si mund të kontribuojë Shqipëria në ndërtimin e një paqeje afatgjatë në rajon, veçanërisht në kushtet e tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Për këtë mund të them me krenari që Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes së bashkëpunimit me të gjithë në rajon”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar marrëdhënieve me vendet fqinje, Kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë, duke sjellë edhe një shprehje të gjyshes së tij.
“Ka disa gjëra që mund të jesh sa i lirë të duash, por që s’mund të zgjedhësh. E ajo çfarë është më e vështirë nuk zgjedh dot kushërinjtë e fqinjët. Nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Çështje fati. Fqinjët janë aty ku janë. Do të jenë gjithmonë aty. Nuk do të shkojnë asgjëkundi. Kështu që më mirë të përpiqesh që të shkosh mirë me fqinjin, sepse në të kundërt pastaj gjen bela. Gjyshja ime thoshte: “fqinj i lumtur bën një shtëpi të lumtur”, e kundërta është shumë sfiduese”, tha ai.
Rama vlerësoi se Shqipëria është përpjekur të bëjë gjithçka ka mundur për të nxitur bashkëpunimin rajonal, ndërsa theksoi se situata mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një pikëpyetje.
“Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur me njëfarë shkalle suksesi. Por sa i takon çështjes për Serbinë dhe Kosovën mbetet një pikëpyetje, sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë”, u shpreh Kryeministri.
Duke folur për Kosovën, Rama nënvizoi se pavarësia e saj është një realitet dhe se njohja e këtij realiteti nga Serbia do të ishte në interes të normalizimit të marrëdhënieve në rajon.
“Ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, nuk ka më kthim pas, nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Kështu që siç e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht sa i takon marrëdhënieve në rajon”, theksoi Rama.