Maqedonci: Buxheti për mbrojtjen më 2027, më i larti në histori

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se buxheti për mbrojtjen e Republikës së Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të jetë 224 milionë e 168 mijë e 705 euro, duke e cilësuar atë si më të lartin në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook, Maqedonci ka theksuar se përmes këtij buxheti do të vazhdojnë investimet në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka përmendur furnizimin me pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse si fusha ku do të orientohen investimet.

“Përmes këtij buxheti, do të vazhdojnë investimet në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, furnizimin me pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse”, ka shkruar Maqedonci.