Nxënësve në shkollat britanike do t'u ndalohen telefonat

Nxënësve nëpër shkollat në Angli nuk do t'u lejohet fare qasja në telefonat e tyre gjatë ditës shkollore sipas udhëzimeve më të rrepta qeveritare.

Udhëzimet statutore hynë në fuqi në qershor, duke i bërë shkollat ligjërisht përgjegjëse për të qenë pa telefona gjatë gjithë ditës.

Ministrat tani thonë se ndryshimet në këto udhëzime do të shkojnë përtej politikave aktuale "mos shiko, mos dëgjo" që janë në fuqi në disa shkolla - ku telefonat mund të mbeten në çantat e nxënësve nëse nuk shihen ose dëgjohen - kur të hyjë në fuqi nga shtatori 2027.

Por sindikatat e drejtorëve të shkollave thanë se shkollat do të kenë vështirësi në zbatimin e politikave të reja më të rrepta pa fonde shtesë nga qeveria.

Sekretarja e Arsimit Lucy Powell tha se "mesazhi i qartë" i qeverisë për prindërit dhe nxënësit ishte se "shkolla është për të mësuar dhe për miqësi, jo për të bërë scroll".

Qasja në telefona "rrezikon t'i largojë fëmijët nga të mësuarit e tyre dhe nga njëri-tjetri”, tha qeveria.

Sipas BBC, shkollat do të jenë në gjendje të vendosin se si t'i ndjekin udhëzimet. Disa shkolla kanë investuar në çanta të mbyllura ose dollapë të sigurt. Të tjera i mbledhin telefonat në fillim të ditës, ose ua kanë ndaluar qasjen në çdo faqe të internetit.

Duke folur për BBC, Powell tha se politika të tilla mund të arrijnë një "ndryshim kulturor në të gjithë shkollën dhe kjo ishte ajo që duam të shohim të ndodhë kudo”.

Karl Harrison, drejtor në Akademinë për Djem "Burnage" në Mançester, i tha BBC-së se shkolla kishte shpenzuar 20,000 funte për të sjellë një sistem detektorësh metali dhe çanta telefoni për të parandaluar nxënësit të kenë qasje në telefonat e tyre.

Derisa disa mendonin se liria e tyre ishte zhdukur, kufizimi i telefonave kishte rritur socializimet mes nxënësve në shkollë, tha ai.

"Njerëzit tani mund të flasin me njëri-tjetrin, në vend që të shfletojnë në një pajisje", tha ai.

Harrison tha po ashtu se kjo qasje ka rritur edhe suksesin e nxënësve.