25 vjet nga transmetimi i serialit “O Clone”: Pesë fakte për hitin brazilian që pushtoi edhe Kosovën

Në tetor të vitit 2026 u bënë 25 vjet nga premiera e serialit brazilian “O Clone”, një prej produksioneve televizive më të suksesshme të TV Globo-s, i cili pati jehonë të veçantë edhe në Kosovë, ku u transmetua në RTV21.

Seriali, i njohur për historinë e dashurisë mes Jade dhe Lucas, si dhe për ndërthurjen e kulturës braziliane me atë marokene dhe temat e klonimit njerëzor, mbetet një prej produksioneve të huaja që la gjurmë në kujtesën e publikut kosovar.

Këto janë pesë fakte interesante për serialin dhe suksesin e tij në Kosovë:

1. Në Kosovë arriti shifra rekord të shikueshmërisë

“O Clone” nuk ishte thjesht një serial i ndjekur në Kosovë. Sipas një raportimi të mediumit ndërkombëtar të industrisë televizive PRODU, të publikuar më 28 korrik 2004, seriali në RTV21 kishte arritur afro 80 për qind të pjesëmarrjes në audiencë, sipas burimeve të TV Globo-s. Në atë kohë, seriali po transmetohej në 62 shtete të botës.

2. Një produksion që nisi më 1 tetor 2001

Seriali u shfaq për herë të parë në Brazil më 1 tetor 2001, në rrjetin televiziv Rede Globo, ndërsa episodi i fundit u transmetua në qershor të vitit 2002. Ai përbëhej nga 221 episode në versionin origjinal dhe u shkrua nga autorja Glória Perez, me regji të Jayme Monjardim.

3. Jade dhe Lucas u bënë një prej çifteve më të njohura televizive

Rolet kryesore u interpretuan nga Giovanna Antonelli, në rolin e Jade, dhe Murilo Benício, në rolin e Lucas. Suksesi i historisë së tyre të dashurisë ishte aq i madh, sa në vitin 2002 ata morën nga edicioni hispanik i revistës People titullin e çiftit më të famshëm në botë.

4. Seriali popullarizoi edhe shprehjet arabe

Një prej veçorive të serialit ishte ndërthurja e historisë së dashurisë me kulturën dhe traditat myslimane. Shprehje si “Maktub”, “Inshallah” dhe “Haram” u bënë pjesë e fjalorit të përditshëm të shumë shikuesve. Sipas arkivit zyrtar Memoria Globo, këto shprehje fituan popullaritet të madh falë personazheve të serialit.

5. U shit në më shumë se 90 shtete të botës

Suksesi i “O Clone” nuk u kufizua vetëm në Brazil dhe Kosovë. Seriali u shpërnda në dhjetëra tregje ndërkombëtare dhe, sipas arkivit zyrtar të Globo-s, u shit në më shumë se 90 shtete. Përveç Kosovës, ai pati sukses edhe në Shqipëri, Serbi, Rusi dhe vende të tjera. Në Shqipëri, aktori Antonio Calloni, i cili interpretoi Mohamedin, u bë veçanërisht i dashur për publikun.

25 vjet më vonë, “O Clone” mbetet një prej shembujve më të veçantë të suksesit të një produksioni televiziv të huaj në Kosovë, me shifra shikueshmërie që, sipas të dhënave të publikuara në vitin 2004, konkurronin me çdo produksion tjetër televiziv të kohës. /Zëri