Kurti takon kryetarin e Parisit, diskutojnë bashkëpunimin në banim dhe kulturë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Parisit, Emmanuel Gregoire, gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin francez, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e ka falënderuar Gregoire për pritjen dhe mbështetjen e Francës ndaj Kosovës.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e banimit, veçanërisht duke marrë parasysh përvojën e kryetarit të Parisit në kuadër të aleancës evropiane të kryetarëve të bashkive për banim (Mayors for Housing Alliance).

Kurti ka bërë të ditur se e ka njoftuar homologun e tij për programin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Kosovë, si dhe për projektin e Banimit Social Adekuat, i cili pritet të shtrihet në 21 komuna të vendit.

“Me kryetarin Gregoire, i cili është një nga anëtarët e aleancës evropiane të kryetarëve të bashkive për banim, biseduam për përvojat dhe mundësitë e ndërveprimit konkret”, ka deklaruar Kurti.

Një tjetër temë e diskutimit ka qenë edhe forcimi i lidhjeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Parisit.

Kryeministri ka shprehur interesimin për bashkëpunim praktik përmes organizimit të ekspozitave, shfaqjes së filmave, ngjarjeve letrare dhe shkëmbimit të artistëve.

Ai ka theksuar gjithashtu se diaspora dhe profesionistët kulturorë nga Kosova mund të luajnë rol lehtësues në realizimin e këtyre shkëmbimeve. /Zëri