Vergori në Istog: Optimizimi i KFOR-it nuk e ndryshon mandatin e misionit

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka vizituar Komandën Rajonale Perëndim (RC-W), ku është informuar për operacionet dhe aktivitetet trajnuese që po zhvillohen në zonën e përgjegjësisë së saj.

Gjatë vizitës, Vergori është takuar edhe me kryetarin e Istogut, Ilir Ferati, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në nivel lokal dhe bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve komunale.

Në këtë takim, komandanti i KFOR-it ka theksuar se procesi i optimizimit të misionit është gradual dhe i bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë.

“Çdo përshtatje e pranisë së KFOR-it nuk e ndryshon mandatin e tij të përcaktuar nga OKB-ja dhe as përkushtimin e palëkundur për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.