Sadiku për largimin e fotografisë së Rugovës nga Presidenca: Gjest i panevojshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me largimin e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova nga ambientet e Presidencës, duke e cilësuar këtë veprim si të panevojshëm.

Sadiku ka theksuar se figura e Rugovës tejkalon funksionet politike dhe institucionale që ai ka ushtruar gjatë jetës së tij, duke e cilësuar atë si figurë historike të rëndësishme për Kosovën.

Ai ka thënë se për raste të tilla duhet të ekzistojnë protokolle të qarta institucionale, të cilat duhet të zbatohen.

“Një gjest jo i mirë, i panevojshëm. Duhet të ketë protokolle të qarta për këtë punë që duhet të zbatohen”, shkroi ai në Facebook.

Deputeti i LDK-së ka theksuar se Ibrahim Rugova nuk duhet të shihet vetëm përmes funksioneve që ka mbajtur, por si një figurë historike që përfaqëson vlera përtej politikës së ditës.

“Presidenti Rugova nuk është më ish-president apo ish-kryetar i LDK-së, është figurë historike e patejkalueshme për secilin person të tashmes ose të ardhmes”, shtoi.

Sadiku ka shprehur shpresën që presidentja të reflektojë dhe fotografia e Rugovës të rikthehet në vendin ku ka qenë.

“Po shpresoj që presidentja të reflektojë dhe ta kthejë gjendjen si ka qenë, sepse ajo është mbi të dhe mbi secilin”, ka deklaruar Sadiku.

Ai ka shtuar se çështja nuk lidhet vetëm me fotografinë, por me simbolikën dhe mesazhin që figura e Ibrahim Rugovës përcjell te gjeneratat e kaluara dhe ato që vijnë.

“Nuk është vetëm ideja e fotografisë, por ideja që përfaqëson presidenti Rugova tek gjeneratat e kaluara dhe që duhet të përfaqësojë edhe tek gjeneratat e ardhshme”, ka përfunduar Sadiku. /EO