Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Demokracia dhe zhvillimi nuk duhet të sakrifikohen për stabilitetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, ku ka folur për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe rindërtimin e shoqërive pas luftës.

Në këtë panel, ku ishte i pranishëm edhe Carlo Monticelli, guvernator i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Kurti theksoi se demokracia dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror nuk duhet të sakrifikohen në emër të stabilitetit.

Sipas tij, është thelbësore që qytetarët të jenë përfituesit kryesorë të politikave dhe zhvillimeve institucionale, ndërsa infrastrukturën e cilësoi si platformë të rëndësishme për zhvillim, duke veçuar edhe rolin e arsimit cilësor.

Duke folur për performancën ekonomike të Kosovës, Kurti deklaroi se rritja e Bruto Produktit Vendor ishte 5,4 për qind në tremujorin e parë të vitit, ndërsa në tremujorin e dytë 4,1 për qind.

Ai foli edhe për zhvillimin shoqëror, duke theksuar rëndësinë e ecjes paralelisht të arsimit dhe ekonomisë. Në këtë kontekst, Kurti pretendoi se diferenca ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët në Kosovë është zvogëluar nga raporti 20 me 1, para ardhjes së qeverisë së tij, në 4 me 1 aktualisht.

Një pjesë të fjalës së tij, kryeministri ia kushtoi edhe pasojave të luftës në Kosovë, veçanërisht dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës nga aparati shtetëror serb.

Kurti tha se në Kosovë janë rreth 20 mijë gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se përveç ndëshkimit të përgjegjësve, rëndësi jetike ka edhe trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave.

Paneli u përqendrua në sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme dhe rindërtimit të shoqërive pas përfundimit të luftërave. /Zëri