Zelensky: Sukseset e ushtrisë ukrainase në front forcojnë pozitat e Kievit në negociatat me Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se sukseset e forcave ukrainase në fushëbetejë po forcojnë pozitat e Kievit përpara negociatave me Rusinë, të cilat do të zhvillohen me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bisedimet trepalëshe mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së pritet të nisin të martën në Abu Dhabi dhe të vijojnë edhe të mërkurën. Ato konsiderohen negociatat e para thelbësore që nga shkurti, me synimin për të gjetur një zgjidhje për përfundimin e luftës.

Në videofjalimin e tij të përnatshëm të hënën, Zelensky theksoi se rezultatet e arritura nga ushtria ukrainase në terren kanë ndikim të drejtpërdrejtë në pozicionin e vendit në tryezën e negociatave.

“Forcat ukrainase aktualisht po e forcojnë realisht pozitën negociuese të Ukrainës”, u shpreh ai.

“Çdo detyrë e përmbushur plotësisht, çdo operacion mbrojtës që rrit fuqinë e Ukrainës dhe sjell rezultate, e forcon Ukrainën dhe, mbi të gjitha, na forcon në negociata”, shtoi presidenti ukrainas.

Takimi në Abu Dhabi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes Moskës dhe Kievit, i cili vijon prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë.