Ish-presidentes Osmani i ndahet Çmimi Global për Diplomaci

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Global Diplomacy Award”.

Osmani është shprehur mirënjohëse pasi ka pranuar këtë çmim, duke thënë se diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron gjithmonë në anën e drejtësisë.

“Këtë çmim ia dedikoj, sikurse çdo çmim tjetër, popullit të përvuajtur të Kosovës, i cili sakrifikoi gjithçka, deri edhe fëmijët në djep, që ne sot ta gëzojmë lirinë.Njëkohësisht, ia dedikoj Atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova, i cili na mësoi rëndësinë e aleancave, të ndërtimit të urave dhe të kultivimit të miqësive”, shtoi tutje Osmani.

Poashtu ajo u shpreh se ky çmim është edhe një homazh për gazetarët që, gjatë luftës në Kosovë, me guximin për të treguar të vërtetën, ndihmuan në shpëtimin e jetëve të panumërta.

Ndarja e këtij çmimi është bërë në praninë e mbi 350 pjesëmarrësve nga 32 shtete të botës, të cilët u mblodhën në Turqi, me ftesë të organizatës “Global Journalism Council”.