Taulant Dajaku i thumbon drejtuesit e Federatës dhe kryetarin Agim Ademi: Pse po dilni në foto kafeve me futbollistët edhe s’po vijnë te Kosova?

Ndonëse së fundmi në Kombëtaren e Kosovës janë afruar disa talentë të së ardhmes, ka vend për t’i vajtuar edhe lojtarët që i kemi humbur.

Për arsye të ndryshme, ata kanë zgjedhur kombëtare të tjera, por kishte prej tyre që u larguan të pakënaqur, edhe pse ishin pjesë e grup-moshave dardane, ose edhe të vetë ekipit të parë.

Së fundmi i pamë tri prurje të reja te Kosova për ndeshjet e nëntorit, por ish-futbollistin e njohur kosovar, Taulant Dajaku, e bren brenga se si kemi humbur lojtarë të tjerë dhe se si disa po ngurrojnë t’i bashkohen Kosovës edhe pse kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka dalë në foto me ta, duke e paralajmëruar ardhjen e tyre.

“Gëzohem që po vijnë lojtarët e rinj te Kosova, por pse s’po vijnë Lorent Tolaj, Arijon Ibrahimoviq? Pse po dilni kafeve me ta, edhe s’po vijnë?”, tha Dajaku në emisionin Favorit në T7.

Mbetet të shihet nëse Tolaj do t’i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës në të ardhmen.

E njëjta gjë vlen edhe për Arijon Ibrahimoviqin, i cili është pjesë e U-21 të Gjermanisë dhe nuk i ka thënë ende “po” Kosovës, e cila është duke e pritur qe një kohë të gjatë. /Zëri