Murtezaj: Kosova e meriton avancimin në rrugën drejt integrimit evropian, por krizat politike po e pengojnë

Profesori Valon Murtezaj, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Forumin e Paqes në Paris, duke folur për rëndësinë e këtij organizimi dhe mundësitë që ai ofron për avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Murtezaj ka vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum është e rëndësishme, veçanërisht në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare po karakterizohen nga tensione dhe kur shtetet, sipas tij, po tregojnë gjithnjë e më shumë prirje për t’i vënë interesat nacionale mbi bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ai ka theksuar se tema e forumit përcjell një mesazh të rëndësishëm për nevojën e bashkëpunimit mes shteteve dhe se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të diskutuar me partnerët ndërkombëtarë për procesin e saj integrues.

“Vetë tema e forumit e jep një mesazh të madh për botën se nuk duhet të fokusohemi vetëm te interesat nacionale. Në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, vitet e fundit po shohim se shtetet po bëhen gjithnjë e më egoiste dhe më pak bashkëpunuese. Kemi ardhur në një situatë të një sistemi të trazuar të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka deklaruar Murtezaj.

Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum është një mundësi për të zhvilluar takime dhe diskutime me faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë lidhur me avancimin e statusit të vendit dhe rrugën drejt integrimit evropian.

“Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja këtu edhe në rastin konkret, për të biseduar me faktorë të ndryshëm lidhur me aplikimin e Kosovës dhe avancimin e statusit të saj drejt integrimit evropian. Më duhet të them se Kosova e meriton të jetë pjesë e një procesi të avancuar në kuadër të rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian”, është shprehur ai.

Duke folur për rolin e Francës në këtë proces, Murtezaj ka theksuar se ajo është një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe se mbështetja e saj ka rëndësi për perspektivën evropiane të Kosovës.

Megjithatë, profesori ka vënë në pah se, krahas përmbushjes së kritereve për integrim, funksionimi i institucioneve dhe stabiliteti politik janë po ashtu faktorë të rëndësishëm për avancimin e vendit.

“Franca është një ndër vendet kryesore në Bashkimin Evropian. Kosova, në masë të madhe, i ka plotësuar kriteret dhe parakushtet për të avancuar drejt integrimit evropian. Megjithatë, duhet të themi se krizat e dy viteve të fundit në konstituimin e institucioneve e dëmtojnë vetë procesin”, ka thënë Murtezaj.

Sipas tij, vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të dëshmojnë funksionim institucional, stabilitet dhe përmbushje të kritereve të kërkuara.

Murtezaj ka theksuar gjithashtu rëndësinë e meritokracisë dhe të vlerësimit individual të progresit të secilit shtet në procesin e integrimit evropian.

“Kur flasim për zgjerimin, fjala kyçe është meritokracia, në mënyrë që avancimi të bëhet në bazë të meritave dhe përmbushjes së kritereve”, ka përfunduar ai.