Pas anulimit të konkursit për parregullsi, rihapet pas dy vjetësh procesi i gradimit për rreshterë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur shpalljen e procesit të gradimit për gradën rreshter në Policinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si mundësi të rëndësishme për avancimin profesional të zyrtarëve policorë.

Përmes një postimi, Sveçla ka thënë se avancimi profesional dhe vlerësimi i meritës janë thelbësorë për fuqizimin e Policisë së Kosovës dhe motivimin e pjesëtarëve të saj.

“Mirëpres shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës, si një mundësi e rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë që shërbejnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ai u ka bërë thirrje veçanërisht grave dhe vajzave që të aplikojnë për këtë gradë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dhe fuqizimit të tyre brenda Policisë së Kosovës.

“Inkurajoj veçanërisht gratë dhe vajzat që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për avancim profesional, duke kontribuar edhe më shumë në përfaqësimin dhe fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ministri./dukagjini