Laporta shpallet presidenti më i mirë në Evropë, e mposht edhe shefin e PSG-së

Joan Laporta ka fituar çmimin “European Golden Boy – Best President 2026”, të ndarë nga gazeta italiane “Tuttosport”, duke u vlerësuar si presidenti më i mirë i një klubi evropian për sezonin e kaluar.

Presidenti i Barcelonës fitoi përballë konkurrencës së drejtuesve të njohur, përfshirë edhe Nasser Al-Khelaifin e Paris Saint-Germainit, fitues i këtij çmimi në vitin 2025.

Juria vlerësoi veçanërisht filozofinë e Barcelonës në zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe punën e akademisë La Masia.

Sipas organizatorëve, modeli i klubit katalunas dëshmon se suksesi sportiv mund të shoqërohet edhe me përfitime ekonomike.

Laporta ishte kandidati më i votuar nga juria e përbërë nga emra të njohur të futbollit, si Cesc Fabregas, Rui Costa, Andriy Shevchenko, Hristo Stoichkov dhe Pavel Nedved.

Çmimin do ta pranojë zyrtarisht më 14 dhjetor, në ceremoninë që do të mbahet në Torino. /Zëri