Miratohet propozimi për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Çeku: Kemi synuar përfaqësim të balancuar gjinor
Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë lidhur me propozimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, i cili në fund është miratuar, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, gjatë raportimit para këtij komisioni, iu është përgjigjur pyetjeve të kryesuesit Enver Hoxhaj, lidhur me përzgjedhjen e 15 anëtarëve të propozuar, përfaqësimin gjinor, kriteret profesionale dhe përkatësinë e mundshme politike të kandidatëve.
Çeku ka thënë se gjatë procesit të nominimit, pas thirrjes publike, lista fillestare dominohej nga kandidatët burra, prandaj kishte kërkuar nga institutet që të reflektonin për të siguruar një përfaqësim më të balancuar gjinor.
“Lista e nominimeve, e pranuar pas thirrjes publike, dominohej nga kandidatë burra, dhe unë kam kërkuar mirëkuptim, sidomos nga institutet që janë pjesë e Ministrisë së Arsimit, që të reflektojnë në mënyrë që në përbërjen përfundimtare të Këshillit Kombëtar të Shkencës të kemi një përfaqësim të balancuar gjinor”, ka deklaruar Çeku.
Ai ka shpjeguar se kërkesa për përfshirjen e më shumë grave në këtë përbërje kishte për qëllim edhe respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore, por edhe promovimin e grave shkencëtare dhe studiuese.
“Pra, kjo ka qenë arsyeja pse nga institutet tona sidomos kanë pasur mirëkuptim, sepse të gjithë kishin propozuar kandidatë burra, dhe duke qenë e vetëdijshme që ka pra shumë gra në këto institute, kam kërkuar që të reflektojnë dhe të na ndihmojnë që të respektojmë ligjin e barazisë gjinore që kërkon përfaqësim të barabartë në çdo organ shtetëror, por dhe, para së gjithash, t’i promovojmë gratë shkencëtare, studiuese në këtë institucion, në këto organe mjaft të rëndësishme”, ka thënë ministri.
Çeku ka bërë të ditur se në shumicën e rasteve kanë hasur në mirëkuptim nga institutet, duke përmendur Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik dhe Institutin Pedagogjik, të cilave u ishte kërkuar të propozonin edhe gra kandidate.
“Në pjesën më të madhe të rasteve kemi pasur mirëkuptim, prandaj edhe kemi vazhduar me propozime. Unë mendoj që të gjithë emrat, e sidomos gratë në këtë listë, janë shumë të denja dhe të afta për ta kryer punën si duhet. Dhe kjo është arsyeja pse edhe me Institutin e Historisë, edhe me Institutin e Albanologjisë, edhe me Institutin Pedagogjik, kemi kërkuar që të reflektojnë, që brenda radhëve të tyre të kemi gra kandidate për këtë përbërje”, ka deklaruar ai.
Duke iu përgjigjur çështjes së përkatësisë apo afërsisë së mundshme politike të kandidatëve, ministri Çeku ka thënë se kjo nuk duhet të ndikojë në vlerësimin e profilit dhe përgatitjes së tyre profesionale.
“Në lidhje me, qoftë përkatësinë, ose afërsinë, ose mbështetjen politike partiake, unë besoj që në këtë përbërje ka studiues dhe njerëz që, qoftë, kanë pasur ose kanë afërsi ose mbështetje ose simpati për ndonjë formacion politik apo partiak, por kjo nuk e zbeh vlerën e këtyre kandidatëve, mendoj unë, se për këtë profil dhe përgatitje janë mjaftueshëm të përgatitur për ta kryer punën e tyre. Por nëse gjurmojmë, të disa emra mund të gjejmë edhe mbështetje për parti të tjera politike, por nuk besoj se kjo e zbeh profilin dhe përgatitjen e këtyre individëve”, ka theksuar Çeku.
Ministri është pyetur edhe për kandidatët që nuk kanë tituj shkencorë të doktoratës apo që e kanë përfunduar atë së fundmi.
Ai ka thënë se gjatë vlerësimit të tyre është marrë parasysh edhe aktiviteti shkencor dhe publikues, me qëllim që të sigurohet se kandidatët kanë kontribut konkret në fushat përkatëse.
“Në lidhje me, po ka që nuk kanë tituj apo shkencë, ose që kanë doktoruar tash së voni, jemi kujdesur që të shikojmë aktivitetin e tyre shkencor dhe publikues, prandaj, ngase, si vit, tashmë është mundur që aty ku mungon doktoratura ose është marrë rishtazi, kemi parë aktivitetin publikues shkencor të tyre, për të siguruar që edhe kanë kontribuar realisht, edhe kanë çfarë i japin Këshillit Kombëtar të Shkencës”, ka deklaruar ai.
Çeku ka folur edhe për përfaqësimin e kolegjeve private në këtë përbërje, duke thënë se gjatë këtij procesi kanë pasur shumë pak nominime nga këto institucione.
“Kemi pasur shumë pak nominime nga kolegjet private, dhe për shkak të afërsisë me profile që veç i kemi pasur të identifikuara, këtë radhë kemi shkuar pa ndonjë emër nga kolegjet private, pa dashur me e nënçmuar profilin e këtyre kandidatëve”, ka thënë ministri.
Sa i përket përfaqësimit të industrisë në Këshillin Kombëtar të Shkencës, Çeku ka vlerësuar se kjo nuk është pjesë e formulës aktuale të përbërjes, por ka lënë të hapur mundësinë që të shqyrtohet në të ardhmen.
“Dhe përfaqësimi nga industria mendoj se nuk është pjesë e formulës e Këshillit të Arsimit, por ndoshta mund të mendohet si një opsion për vlerat e radhës”, ka përfunduar ai.
Anëtarët e propozuar të Këshillit Kombëtar të Shkencës janë:
Aliriza Arënliu – Psikologji
Arbnora Dushi – Folkloristikë
Armond Daci – Farmakologji
Arven Syla – Energjetikë
Besnik Krasniqi – Ekonomi dhe Ndërmarrësi
Emine Kalaja-Hajdari – Histori
Fetah Podvorica – Elektrokimi
Ibrahim Krasniqi – Ekonomi dhe Menaxhim
Majlinda Bregasi – Gjuhësi
Mentor Alishani – Veterinari
Mihone Kerolli-Mustafa – Inxhinieri Mjedisore
Mimoza Ibrani – Telekomunikacion
Myzafere Krasniqi-Limani – Elektronikë
Tringa Dedi – Pedagogji
Valmir Krasniqi – Matematikë
Në fund të shqyrtimit, Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka miratuar propozimin për përbërjen prej 15 anëtarësh të Këshillit Kombëtar të Shkencës.