Fermin Lopez dërgon mesazh të fortë pas fitores ndaj Atletico Madridit
Fermin Lopez ishte hero i Barcelonës në fitoren 2:1 ndaj Atletico Madridit, duke realizuar të dy golat në përmbysjen e madhe në stadiumin “Metropolitano”.
Mesfushori spanjoll foli pas ndeshjes, duke dërguar edhe një mesazh të qartë për rivalët.
Ai pranoi se Barcelona e kishte të vështirë në pjesën e parë, por goli i tij para pushimit ndryshoi gjithçka.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Vitin e kaluar na eliminuan nga Kupa dhe Liga e Kampionëve. Pjesa e parë ishte e komplikuar, por arritëm ta përmbysnim rezultatin dhe zhvilluam një ndeshje të madhe”, deklaroi Fermini.
Mesfushori shpjegoi se goli i parë i ndihmoi katalunasit të luanin më lirshëm, ndërsa në pushim skuadra u pajtua që të vazhdonte me të njëjtin ritëm.
Ai vlerësoi paraqitjen e jashtëzakonshme të Barcelonës në pjesën e dytë.
“Jemi gati të garojmë. E dinim se tifozët ishin të zhgënjyer pas dy humbjeve, por me këtë fitore kemi treguar se jemi këtu dhe do të luftojmë në çdo ndeshje”, ishte mesazhi i Fermin Lopezit, i cili dëshiron që Barcelona ta vazhdojë garën për titullin nga pozita e parë.