Kurti në Paris viziton STATION F, kampusin më të madh në botë për startup-e: Kosova ka potencial të madh në sektorin e teknologjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kampusin e njohur të teknologjisë dhe inovacionit STATION F në Paris të Francës, ku është njohur nga afër me kompani dhe iniciativa të ndryshme në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.

Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se STATION F është një prej qendrave më të mëdha në botë për startup-e, e cila funksionon në një ndërtesë historike që dikur shërbente si depo kryesore mallrash dhe stacion trenash në kryeqytetin francez.

“Një ndërtesë njëshekullore, që ishte ngritur dhe kishte shërbyer si depo kryesore mallrash e stacion trenash në Paris deri në vitin 2000 kur ishte mbyllur, tash e mëse një dekadë është qendër e teknologjisë dhe invocacionit. Me rreth 34 mijë metra katrorë hapësirë, dhe brenda saj, me më shumë se 700 investitorë, me qasje për më shumë se 9.000 startup-e dhe më shumë se 30 programe, STATION F është aktualisht kampusi dhe inkubatori më i madh në botë për startup-e”, ka shkruar Kurti.

Kurti po ashtu ka shkruar se mes tjerash aty patën mundësi të takohen me përfaqësues kompanish që veprojnë në mes administratës publike, shkencës së sjelljes dhe inteligjencës artificiale, nëpërmjet zhvillimit të platformave të integruara për mbështetjen e vendimmarrjes dhe hartimin e politikave publike, por edhe me të tjera të teknologjisë së mbrojtjes (Defence Tech), të specializuara në zhvillimin e sistemeve autonome nënujore dhe dronëve detarë për mbrojtjen e flotave ushtarake, porteve dhe infrastrukturës kritike ujore.

“TIK-u është nga sektorët më dinamik të ekonomisë sonë dhe aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor. Potenciali është më i madh se kaq, andaj ndërtimi i një ekosistemi, krahas bashkëpunimit, shkëmbimeve, përvojave dhe partneriteteve me eskpertë e qendra të tilla, i shërben përmbushjes së tij”, shkroi Kurti.