Infermierja dëshmon për momentet pas rënies së Maria Clarës: Gjatë gjithë kohës gjëmonte nga dhimbjet

Infermierja në QKMF-në e Fushë-Kosovës, Vlora Makolli, ka deklaruar se Maria Clara Urdangaray, pas rënies nga kati i gjashtë i hotelit, shfaqte dhimbje të forta dhe gjëmonte vazhdimisht gjatë kohës sa po i jepej ndihma e parë dhe po transportohej me autoambulancë në QKUK.

Makolli, dëshmitarja e dytë në seancën e së hënës në rigjykimin ndaj Endrit Nikës, ka thënë se kishte qenë në vendin e ngjarjes së bashku me doktoreshën Blerina Gashi, ku viktimës i ishte dhënë ndihma e parë.

Ajo e pyetur nga prokurori Armend Hamiti, ka deklaruar se pacientja ishte vendosur në barelë dhe më pas ishte futur në autoambulancë, ndërsa komunikimi me të ishte bërë nga doktoresha në gjuhën angleze.

“Të shkojmë direkt te vendi aty, të shohim si është gjendja, për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Me urdhër të doktoreshës dhe ne zbatojmë. Kemi vendosur në barelë dhe e kemi futur në autoambulancë, pacientja u shokë se ka dhimbje të forta, doktoresha e ka pyetur për emri për të ditur a është e vetëdijshme, doktoresha ka folur në gjuhën angleze. Unë nuk e kuptoj gjuhën angleze, vetëm atë që na ka thënë doktoresha. Po thotë po ka dhimbje, ky është emri i saj. Doktoresha ka thënë se pacientja po thotë se nuk e ka shtyrë dikush. Non-stop ka gjëmuar ajo, edhe kur ka folur ajo ka gjëmuar, ka thënë ‘ofa’, u shike që shfaqke dhimbje. E kemi dërguar atje është pranuar e gjallë. Me sa më kujtohet ka thënë edhe nuk kam dashur me ra, gjithmonë sipas doktoreshës”, tha ajo.

E pyetur nga avokati i familjes së viktimës, Leotrim Syla, nëse gjatë kohës kur po e vendosnin pacienten në autoambulancë ishte afruar dikush për ta përshëndetur, Makolli u përgjigj se nuk kishte parë ndonjë person të tillë.

“Nuk e kam parë që ka qenë afër. Jo nuk ka pas”, u përgjigj ajo.

Ndërkaq, e pyetur nga kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri, nëse pyetjet që doktoresha ia kishte parashtruar viktimës ishin bërë para apo pasi ajo ishte vendosur në autoambulancë, dëshmitarja tha se komunikimi kishte ndodhur brenda saj.

“Pyetjet e parashtruara nga doktoresha janë parashtruar në autoambulancë. Makina nuk është nisur pa ia vendosur terapinë. Nuk ka pasur gjakderdhje të jashtme, jo gjakderdhje të madhe por të vogla që janë shkaktu nga xhamat, ka pasur xhama”, tha ajo.

Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila kishte vdekur në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Aktakuzën ndaj tij e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025. Sipas aktakuzës, Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Prokuroria pretendon se përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë viktimën, duke e hedhur më pas nga dritarja e katit të gjashtë.

Ai ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. /eo