Shefi i Nvidia-s nën hetim pas dyshimeve për aferë me një “spiune kineze”, ç’dihet deri tani?
Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, është në qendër të një shqyrtimi të brendshëm nga bordi drejtues i kompanisë, për të përcaktuar nëse ai ka qenë objektiv i një operacioni të mundshëm të inteligjencës së huaj.
Kjo vjen pas raportimeve mediatike që e lidhën atë me një biznesmene kineze, e dyshuar se i ka përcjellë informacione Pekinit.
Gazeta The New York Times raportoi muajin e kaluar se Huang kishte pasur një marrëdhënie me Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor.
Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s.
Sipas raportimit, autoritetet amerikane e kishin hetuar atë dhe kishin arritur në përfundimin se ishte një aset i inteligjencës kineze.
Ja çfarë dihet për Jensen Huang, rolin e tij në Nvidia, si dhe hetimet amerikane ndaj Megaspeed dhe Alice Huang.
Kush është Jensen Huang?
Jensen Huang, 63 vjeç, bashkëthemeloi Nvidia-n në vitin 1993 së bashku me Chris Malachowsky dhe Curtis Priem. Që nga themelimi, ai ka drejtuar kompaninë, duke u bërë një nga drejtuesit ekzekutivë me karrierën më të gjatë në mesin e themeluesve të kompanive të Silicon Valley-t.
I lindur në Tajvan dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara, Huang është shndërruar në një nga figurat më me ndikim të revolucionit të Al.
Nën drejtimin e tij, Nvidia kaloi nga prodhues i procesorëve grafikë për videolojëra në furnizuesin dominues në botë të procesorëve për Al.
Xhaketat e tij karakteristike prej lëkure dhe prezantimet e mëdha të produkteve e kanë bërë atë një nga drejtuesit më të njohur të kompanive teknologjike në botë.
Huang është i martuar prej dekadash me Lori Huang, të cilën e ka njohur gjatë studimeve në inxhinieri.
Çifti ka dy fëmijë, të cilët punojnë në Nvidia.
Vajza e tyre, Madison Huang, është drejtoreshë e lartë për produktet dhe marketingun teknik të platformave të Al fizike në Nvidia, ndërsa djali, Spencer Huang, merret me menaxhimin e produkteve softuerike për robotikë.
Në një mesazh drejtuar punonjësve të dielën, Jensen Huang pranoi se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, duke deklaruar se merrte “përgjegjësinë e plotë” për veprimet e tij.
Çfarë bën Nvidia?
Procesorët e projektuar nga Nvidia kanë qenë në qendër të disa prej zhvillimeve më të rëndësishme teknologjike, nga videolojërat dhe veturat autonome deri te kompjuterizimi në cloud dhe Al.
Nën udhëheqjen e Huang, kompania investoi herët në teknologjinë e Al.
Kur ChatGPT u lansua në fund të vitit 2022, procesorët e Nvidia-s tashmë ishin në pozitë të favorshme për të përfituar nga rritja e madhe e kërkesës për kapacitete kompjuterike të nevojshme për AI.
Nvidia është shndërruar në një nga kompanitë me vlerën më të madhe në botë dhe në një furnizues kyç për gjigantët e teknologjisë.
Vlera e saj në treg është rritur nga rreth 420 miliardë dollarë në fund të vitit 2022, në 4.5 trilionë dollarë më 6 nëntor.
Kush është Alice Huang dhe çfarë është Megaspeed?
Shtetet e Bashkuara po hetojnë kompaninë Megaspeed, një firmë e kompjuterizimit në cloud me seli në Singapor dhe kliente e Nvidia-s, nën dyshimet se mund ta ketë ndihmuar Pekinin të sigurojë qasje në procesorët e avancuar të Al të Nvidia-s, eksporti i të cilëve drejt Kinës është i kufizuar.
The New York Times raportoi muajin e kaluar se Alice Huang, shtetase kineze, kishte krijuar një marrëdhënie të afërt me drejtuesin e Nvidia-s dhe dyshohet se i kishte përcjellë drejtpërdrejt informacione Pekinit.
Sipas faqes zyrtare të kompanisë, Megaspeed është partnere e Nvidia-s për shërbimet cloud në rajonin e Azi-Paqësorit dhe ofron procesorët GB200 NVL72 dhe HGX H100 të prodhuar nga Nvidia.
Çfarë çështjesh të sigurisë kombëtare mund të përfshihen?
Nvidia ndodhet në qendër të rivalitetit teknologjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Që nga viti 2022, Uashingtoni ka vendosur kufizime për eksportin drejt Kinës të procesorëve të avancuar të Al.
Kontroversat rreth kontakteve të Huang me Alice Huang vijnë në një moment delikat për kompaninë.
Investitorët tashmë kanë shprehur shqetësime nëse bumi i Al, që ka nxitur rritjen e jashtëzakonshme të Nvidia-s, mund të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Shqyrtimi i nisur nga bordi ngre gjithashtu pikëpyetje të reja për të ardhmen e drejtuesit që identifikohet më së shumti me suksesin e kompanisë.
Disa prej republikanëve të nivelit të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së kanë kërkuar tashmë informacione dhe sqarime nga Huang pas raportimit të The New York Times, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kombëtare.
Nvidia ka deklaruar se bordi i saj “nuk ka arsye të besojë” se siguria kombëtare e SHBA-së apo sekretet e kompanisë janë cenuar.
Megjithatë, një komitet i pavarur i drejtorëve do të shqyrtojë të gjitha informacionet e disponueshme për të vlerësuar situatën.
Si do ta zhvillojë Nvidia hetimin?
Kompania ka bërë të ditur se hetimi do të mbikëqyret nga një komitet i përbërë nga drejtorë të pavarur, të cilët do të ndihmohen nga këshilltarë të jashtëm ligjorë, gjithashtu të pavarur.
Sipas një deklarate të Nvidia-s, Jensen Huang e mbështet plotësisht këtë proces shqyrtimi dhe është zotuar të bashkëpunojë me hetimin.
Kompania nuk ka dhënë detaje të tjera për kohëzgjatjen e hetimit apo për përfundimet e mundshme të tij. /Telegrafi