Gërxhaliu: Kosova rrezikon të humbë edhe 130 milionë euro nga Plani i Rritjes, nevojitet bashkëpunim pozitë-opozitë
Kosova rrezikon të mos arrijë t’i përmbushë reformat e nevojshme dhe të humbë mundësinë për të tërhequr rreth 130 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor deri në fund të këtij viti, ka vlerësuar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu për Ekonominë Online ka thënë se, krahas miratimit të buxhetit për vitin 2027, vendit i duhet stabilitet politik dhe bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, në mënyrë që të përmbushen kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Gërxhaliu ka rikujtuar se Kosova tashmë ka humbur rreth 43 milionë euro nga ky mekanizëm, duke paralajmëruar se përçarjet politike mund ta vështirësojnë përmbushjen e obligimeve brenda afatit të mbetur.
“Kosova ka nevojë që deri në fund të vitit të bëjë hapa të shumtë në normalizimin e aktualitetit politik në Kosovë. E para, tani që kemi funksionalitet të institucioneve, është shtetërore nga fakti që pothuajse të gjitha pozitat që janë zgjedhur janë të plotësuara. E dyta, na presin obligime të shumta, në radhë të parë për miratimin e ligjit të buxhetit për vitin 2027. Dhe ajo që është më interesante, të plotësohen kriteret e parapara që Kosova duhet t’i plotësojë në qoftë se nuk dëshiron t’i humbë edhe një shumë të mjeteve të dedikuara për Kosovën nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Gërxhaliu.
“Kemi humbur dhjetëra milionë, afër 43 milionë euro në të kaluarën, dhe besoj që një gabim i tillë nuk duhet të përsëritet. Tani e kemi mundësinë që deri në fund të vitit Kosova duhet t’i plotësojë kriteret dhe t’i absorbojë apo të bëjë një tërheqje prej 130 milionë euro, mirëpo do të jetë shumë e vështirë nga fakti që raportet mes pozitës dhe opozitës janë në një distancë shumë të lartë. Së dyti, shumë më tepër do të thotë kemi një qasje të mungesës së unifikimit politik dhe qëndrimeve politike në interes të shtetit dhe qytetarëve, më tepër dominojnë interesat partiake dhe politike, dhe kjo vërtet është duke e dëmtuar Kosovën”, tha ai.
Sipas Gërxhaliut, ndër reformat që duhet të realizohen në një periudhë të shkurtër janë miratimi i ligjeve për energjinë, falimentimin, të drejtën tregtare, prokurimin publik, partneritetin publiko-privat dhe kontrollin e ndihmave shtetërore.
“Kosova duhet të plotësojë reforma të shumta sa i përket aspektit të plotësimit të këtyre kritereve për të qenë pjesë e barabartë në absorbimin e këtyre mjeteve. Njëra ndër sfidat më të mëdha është pakoja e ligjeve që duhet të realizohet në një periudhë shumë të shkurtër kohore. E para ka të bëjë me ligjin për energjinë, e dyta ka të bëjë me ligjin për falimentimin, ka të bëjë me pakon për të drejtën tregtare, ka të bëjë me ligjin për prokurim publik, mungon ligji për partneritet publiko-privat, ligji për avancimin dhe kontrollin e ndihmave shtetërore”, tha ai.
Ai ka përmendur edhe strategjinë kundër krimit të organizuar, reformën në administratën publike, tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, si fusha ku Kosova duhet të shënojë përparim deri në fund të vitit.
“Dhe ajo çka është më interesante janë disa strategji që duhet të realizohen deri në fund të vitit: është strategjia kundër krimit të organizuar, kemi reformën në administratën publike, kemi tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Por sfida më e madhe definitivisht duhet të jetë ajo që quhet sui generis, ose është një bonus për Kosovën që duhet të lidhet me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të cilin e ndërmjetëson apo e ndihmon Bashkimi Evropian”, tha ai.
Gërxhaliu ka theksuar se përmbushja e këtyre obligimeve kërkon stabilitet politik dhe partneritet ndërmjet partive, duke kërkuar që ekonomia të jetë prioritet i institucioneve.
“Prandaj janë sfida të shumta, por të gjitha këto do të arrihen në qoftë se Kosova do të ketë vërtet një stabilitet politik, do të ketë një partneritet dhe një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, dhe definitivisht prioriteti të jetë ekonomia, e jo orientimi social siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse orientimi në politika sociale në tërë Kosovën e barazon varfërinë, e devijon nga rruga për zhvillim, dhe në këtë kohë të inflacionit nuk i bëhet nder Kosovës që baza kryesore e rritjes së buxhetit apo qëndrueshmërisë ekonomike të jetë importi, konsumi dhe remitancat nga diaspora”, tha ai.