Sinani: Do ta çojmë përpara çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Luginë
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinina, ka falënderuar të gjithë shqiptarët që kanë votuar gjatë së dielës për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginë.
Në koalicionin e Partisë për Veprim Demokratik dhe Aleancës për Luginën, kandidat për KKSH, ishte Enkel Rexhepi, i cili edhe doli fitues i këtyre zgjedhjeve, raporton Zeri.info.
Sinani përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ky koalicion ka arritur që të sigurojë 10 nga 29 mandate sa janë në KKSH.
Ajo ka thënë po ashtu, se pas kësaj fitoreje do ta çojnë përpara çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
“Do t’i nisim menjëherë bisedimet me listat e tjera për konstituimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kemi përgjegjësi të përbashkët që Këshilli t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët e Luginës dhe ta çojë përpara punën për shkollën e librin shqip, për kulturën tonë dhe për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe”, ka shkruar Sinani ndër të tjera.
Postimi i plotë i Sinanit, pa ndërhyrje:
REZULTAT FITUES!
Sipas rezultateve preliminare, lista nr. 3, e udhëhequr nga Enkel Rexhepi, mori 4.769 vota. Me këtë rezultat, lista jonë fiton 10 nga 29 mandatet në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Preshevë, faleminderit për 3.271 votat që i dhatë listës sonë! Mirënjohje qytetarëve të Bujanocit dhe Medvegjës për pjesëmarrjen dhe besimin. Urime Enkelit, kandidatëve dhe gjithë aktivistëve të Partisë për Veprim Demokratik dhe Aleancës për Luginën që punuan për këtë rezultat!
Do t’i nisim menjëherë bisedimet me listat e tjera për konstituimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kemi përgjegjësi të përbashkët që Këshilli t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët e Luginës dhe ta çojë përpara punën për shkollën e librin shqip, për kulturën tonë dhe për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Me Besë e me Zemër!. /Zëri