Mblidhen katër komisione të Kuvendit

Komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë të hënën mbledhjet e tyre të radhës, ku në fokus do të jenë shqyrtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, bashkëpunimi diplomatik, çështjet e arsimit, si dhe hetimi i përgjegjësisë institucionale në rastet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Aktivitetet do të nisin në orën 10:00, me mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, ku do të shqyrtohen projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Suedinë dhe Belgjikën.

Në orën 11:00 do të mblidhet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i cili do të zhvillojë takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Ndërkaq, në orën 12:00 është paraparë mbledhja e Komisionit për Arsim dhe Shkencë.

Aktivitetet parlamentare do të përmbyllen në orën 13:00 me mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Në këtë mbledhje do të diskutohen plani i punës, kalendari i aktiviteteve, dokumentet që do t'u kërkohen institucioneve relevante, si dhe buxheti i komisionit.