Simeone e vlerëson Barcelonën: “Luajmë kundër ekipit më të mirë, nuk kam dyshime”
Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka vlerësuar lart Barcelonën në prag të përballjes së së dielës në “Metropolitano”, duke e cilësuar skuadrën katalanase si ekipin më të mirë.
Argjentinasi paralajmëroi se skuadrën e tij e pret një ndeshje shumë e vështirë.
“Luajmë gjithmonë kundër një ekipi shumë të mirë, ndoshta më të mirit. Nuk kam dyshime për këtë. Ka shumë talent nga mesi i fushës e përpara. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe duhet ta çojmë lojën aty ku mendojmë se mund t'i bëjmë dëm Barcelonës”, deklaroi Simeone.
Ai pranoi se Atletico do të vuajë gjatë ndeshjes, ndërsa veçoi edhe ndryshimet taktike të Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick.
Sipas tij, presioni i lartë dhe pozicionimi i Raphinhas e bëjnë skuadrën katalanase edhe më të vështirë për t'u përballuar.
Simeone nuk kurseu elozhet për brazilianin, të cilin e cilësoi futbollist të jashtëzakonshëm për shpejtësinë, punën, golat dhe asistimet.
Ndërkohë, për Julian Alvarezin tha se është në gjendje shumë të mirë. /Zëri