Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen të dielën, më 8 nëntor.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se 37 mijë e 759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa katër lista me gjithsej 107 kandidatë garojnë për 29 vende në këtë institucion.

Kurti ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022. Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive”, ka shkruar Kurti.

Ai ka rikujtuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka autorizime publike në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto tri komuna.

“Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë dhe mbështetjes për kulturën e institucionet përfaqësuese.

Në fund, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

“Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj”, ka shkruar Kurti.