Krasniqi: Komunat të jenë partnere aktive në transformimin digjital të Kosovës

Kryesuesi i Kolegjiumit të Zyrtarëve të Teknologjisë Informative të Komunave të Kosovës në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), Ukë Krasniqi, ka kërkuar përfshirjen e barabartë të komunave në procesin e transformimit digjital dhe mbështetje më të madhe për profesionistët e teknologjisë informative në nivel lokal.

Gjatë punëtorisë së organizuar më 6 nëntor në ITP Prizren, në kuadër të përgatitjes së Strategjisë për Vetëqeverisjen Lokale 2027–2031, Krasniqi ka paraqitur rekomandimet e Kolegjiumit për fuqizimin e rolit të komunave, identifikimin e sfidave të sektorëve të TI-së dhe rritjen e bashkëpunimit institucional.

Ai ka theksuar se komunat nuk duhet të jenë vetëm përdoruese të platformave qendrore, por partnere aktive në projektimin, zhvillimin dhe zbatimin e proceseve të transformimit digjital.

Krasniqi ka veçuar si sfida kryesore mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave, modernizimin e infrastrukturës teknologjike dhe nevojën për trajnime e zhvillim profesional të stafit të TI-së.

Ai ka propozuar që përmes projektit EDIH DIG-4K të bëhet vlerësimi i pjekurisë digjitale të secilës komunë, të identifikohen nevojat për investime dhe të ofrohet mbështetje konkrete për digjitalizimin e shërbimeve komunale.

Krasniqi ka theksuar gjithashtu rëndësinë e trajtimit institucional të profesionistëve të TI-së në komuna, duke kërkuar që dialogu i nisur me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të rezultojë me zgjidhje konkrete.