Vëllai i Erona Coklit e cila u vra nga ish-bashkëshorti: Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet pa nënën e tij

Vëllai i Erona Coklit, Driloni, ka marrë pjesë në protestën kundër vrasjes së grave në Prishtinë, ku ka ndarë dhimbjen e familjes për humbjen e motrës së tij dhe ka kërkuar drejtësi për të gjitha gratë që janë vrarë.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se më 12 prill 2024 humbi motrën, Eronën, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me kujdestarinë e djalit të tyre.

Driloni ka theksuar se familja nuk është e kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burgim të shqiptuar ndaj vrasësit të motrës së tij.

“Çdo vrasje lë pas një familje të shkatërruar, lot dhe dhimbje që nuk shërohen kurrë. Unë nuk po flas vetëm si qytetar, por si vëlla që e ka përjetuar humbjen më të rëndë. Më 12 prill 2024, humba motrën time, Eronën, dhe që nga ajo ditë jeta ime nuk është më e njëjtë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për pasojat që ka lënë vrasja në familjen e tij, Driloni ka përmendur veçanërisht nipin, i cili po rritet pa praninë e nënës.

“Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur e shoh nipin tim duke e përmendur nënën e tij, duke e kujtuar dhe duke e ndier mungesën e saj. Si mund t’ia shpjegosh një fëmije pse nëna e tij nuk do të kthehet më? Si mund t’ia mbushësh boshllëkun që askush nuk mund ta zëvendësojë? Ai do të rritet me mallin për nënën e tij, ndërsa ne do të jetojmë me dhimbjen e humbjes së Eronës”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka përsëritur se familja nuk e konsideron të mjaftueshëm dënimin e shqiptuar, duke kërkuar që rasti i Eronës të mos harrohet.

“Ne si familje nuk jemi të kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burg. Për ne, asnjë dënim nuk mund ta kthejë Eronën, por besojmë se jeta e saj meriton drejtësi dhe se dhimbja e familjes sonë duhet të dëgjohet”, ka shtuar ai.

Në protestën kundër vrasjes së grave, Driloni ka kërkuar që rastet e tilla të mos trajtohen vetëm si lajme të përkohshme, por të kujtohen përmes dhimbjes së familjeve dhe pasojave që lënë te fëmijët.

Ai ka përmendur edhe vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar drejtësi për të dhe për të gjitha viktimat e tjera.

“Ju lutem, mos i shihni vrasjet vetëm si lajme që harrohen pas disa ditësh. Pas çdo viktime ka një familje, fëmijë që vuajnë, ëndrra të ndërprera dhe një dhimbje që zgjat gjithë jetën. Drejtësi për Eronën dhe për të gjitha viktimat. Sa jetë të tjera duhet të humben dhe sa familje duhet të vuajnë, që ta kuptojmë vlerën e jetës njerëzore?”, ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka kërkuar që emrat e Eronës, Arlindës dhe grave të tjera të vrara të mos mbeten vetëm pjesë e lajmeve dhe statistikave, por të kujtohen dhe të mos harrohen.

Kujtojmë se Erona Cokli u vra më 12 prill 2024 nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Në të njëjtin rast, Aliu kishte plagosur edhe vëllanë e saj dhe kishte kanosur me vrasje një zyrtare të Qendrës për Punë Sociale.