Shkëndija synon fitore sot në derbin me Strugën

Derbi i kreut të tabelës luhet në Strugë, ku kuqezinjtë udhëtojnë me ambicien e qartë për të mbrojtur vendin e parë dhe për të përsëritur suksesin e fazës së parë.

Struga Trim&Lum vs Shkëndija 

• LPFMV | Xhiroja e 13-të 

• Stadiumi | Stadiumi “Plazhi i Qytetit” në Strugë • E shtunë | 7 nëntor | ora 12:00 

• Transmetimi | Arena Sport

PËRMBLEDHJE

Shkëndija i afron këtij superdueli si lider i renditjes me 27 pikë pas 12 xhirove, një pikë më shumë se Struga që mban vendin e dytë.

Ndeshja do të zhvillohet në një termin pak më të pazakontë, me fillim nga ora 12:00, për shkak të transmetimit direkt televiziv.

Ky është një duel mes dy skuadrave që kanë treguar paraqitjet më të mira deri në këtë fazë të kampionatit, ku të dyja vijnë pas fitoreve të javës së kaluar (Shkëndija 2:1 ndaj Bregallnicës dhe Struga 1:0 ndaj Vardarit).

SITUATA NË SKUADËR 

Mungesa:

Drilon Islami mbetet jashtë fushave për shkak të frakturës në klavikulën e krahut të majtë, gjë që i ka mbyllur gjysmësezonin vjeshtor.

Kthehet:

Mbrojtësi Anes Meliqi është rikuperuar dhe kthehet në kombinim për lojë, pasi humbi duelin e javës së shkuar me Bregallnicën në Shtip. 

FAKTE SHTESË

Historiku i këtij sezoni: Në përballjen e parë të këtij edicioni të luajtur në Shkup, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2:1, duke synuar tani përsëritjen e të njëjtit sukses.

Tradita ndaj Strugës: Shkëndija nuk di për disfatë në 7 përballjet e fundit ndaj Strugës, duke regjistruar 3 fitore (plus një kualifikim me penallti pas barazimit 2:2 në Kupë) dhe 4 barazime.

Gjyqtarët e ndeshjes: Drejtësia në këtë takim të rëndësishëm të kreut i është besuar arbitrit Stojançe Trpçevski.