Psikologu në shkolla, roli në trajtimin e bullizmit dhe konflikteve mes nxënësve

Psikologu është pjesë e strukturës mbështetëse në institucionet arsimore. Vëmendja ndaj kësaj figure lidhet me procesin edukativ dhe jetën shkollore të nxënësve.

“Psikologu është një figurë shumë e rëndësishme në institucionet arsimore. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha këto vështirësi që fëmijët hasin në ambientet shkollore, psikologu shkollor t’i identifikojë në kohë dhe t’i trajtojë ato me kujdes”, tha Suela Domnori, psikologe.

Një tjetër aspekt lidhet me vështirësitë që shfaqen gjatë përditshmërisë shkollore.

“Ato më kryesoret apo që hasen më shpesh janë frika e përballimit të presionit akademik, problemet, marrëdhëniet sociale që ato kanë me njëri-tjetrin, mungesa e besimit, mungesa e vetëvlerësimit apo dhe përfshirja në konflikte dhe në forma të ndryshme të bullizmit”, u shpreh psikologia.

Në fokus është edhe trajtimi i rasteve të bullizmit dhe konflikteve mes nxënësve.

“Të identifikojë që në fazat e hershme këto vështirësi dhe këto problematika. Duhet patjetër që të ketë një bashkëpunim të fuqishëm me stafin akademik, me mësuesit, me drejtorin e shkollës, por çka është më e rëndësishmja me prindin e fëmijës, në mënyrë që të identifikohen zgjidhjet dhe alternativat më të shëndetshme për mirëqennien e fëmijëve. Mirëqenia e fëmijëve është vërtetë e rëndësishme dhe nuk është një faktor dytësor, por është një kusht i domosdoshëm për arsimimin e fëmijëve dhe për rritjen dhe zhvillimin e tyre sa më të shëndetshëm”, theksoi psikologia.

Roli i psikologut në shkolla mbetet pjesë e rëndësishme e diskutimit mbi mjedisin dhe jetën shkollore./rtsh