Studentët thërrasin protestë kombëtare në orën 14:00, opozita zhvillon tubim para Kryeministrisë

Studentët do të zhvillojnë këtë të shtunë një protestë kombëtare në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit, ku pritet të marrin pjesë të rinj nga qytete të ndryshme të vendit.

Protestuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve, pedagogëve dhe të gjithë të interesuarve që t’u bashkohen, ndërsa vijojnë të kundërshtojnë ofertën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Kreu i qeverisë ka publikuar edhe një platformë online, përmes së cilës synon të komunikojë me studentët.

Të rinjtë kanë kërkuar gjithashtu që qytetarët të mos ndikohen nga paralajmërimet për gjoba apo masa policore ndaj pjesëmarrësve në tubime.

Në mbështetje të studentëve janë shprehur edhe pedagogë, të cilët kanë bërë publike solidaritetin e tyre me kërkesat e protestuesve.

Ndërkohë, edhe partitë opozitare kanë njoftuar pjesëmarrjen në aktivitetet e sotme. Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj në një tubim para Kryeministrisë, në orën 12:00, dy orë përpara protestës së studentëve.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e së shtunës, në mbështetje të studentëve.

Gjatë një konference për mediat, Berisha e cilësoi protestën studentore si një kauzë që tejkalon bindjet politike dhe u bëri apel qytetarëve të mbështesin të rinjtë, duke vlerësuar guximin dhe vendosmërinë e tyre.

Protesta e orës 14:00 pritet të mbledhë studentë dhe qytetarë nga i gjithë vendi, ndërsa më herët opozita do të zhvillojë tubimin e saj para Kryeministrisë.