“Dashuri mes rrënojave”, 250 çifte kurorëzojnë martesën në Gaza
Në sfondin e shtëpive të shkatërruara dhe tendave të zhvendosjes, 250 çifte palestineze u mblodhën në Gaza për një ceremoni masive martese, ndërsa territori vazhdon të përballet me pasojat e luftës.
Ngjarja nisi me një parakalim automjetesh të zbukuruara me flamuj palestinezë, lule dhe shirita të kuq.Kolona përshkoi rrugët e shkatërruara të Qytetit të Gazës, përpara se të mbërrinte në bregdetin e Mesdheut.
Nisma, e organizuar nga operacioni “Kalorësi Fisnik 3” i Emirateve të Bashkuara Arabe, me mbështetjen e Fondacionit Bamirës dhe Humanitar “Saqr bin Mohammed Al Qasimi”, synoi të ndihmojë të rinjtë palestinezë që përballen me vështirësi financiare për të përballuar martesën, mes zhvendosjes dhe përkeqësimit të kushteve të jetesës.
Për dhëndrin Said al-Najjar, kjo festë u zhvillua në sfondin e humbjeve personale. Ai tha se sulmet izraelite kishin shkatërruar shtëpinë e familjes së tij dhe se tani jeton në një tendë, në kampin e refugjatëve në Jabalia.
Al-Najjar tha se ishte përzgjedhur përmes një shorti të organizuar nga komiteti i ngjarjes.
“Ky gëzim nuk i përket vetëm një dhëndri apo 250 dhëndurëve, por gjithë popullit të Gazës”, tha ai.
Ai shtoi se, ashtu si mijëra palestinezë të tjerë, kishte humbur shtëpinë dhe nuk kishte ku të shkonte.
Një tjetër dhëndër, Mohammed Kuwaidir, tha se edhe shtëpia e tij është shkatërruar gjatë luftës dhe se nuk kishte mundësi financiare të merrte një banesë tjetër me qira.
“Do të jetojmë në një tendë”, tha ai, duke shpjeguar se do ta fillojë jetën bashkëshortore në një kamp zhvendosjeje.
Kuwaidir tha se rritja e kostos së jetesës ua ka vështirësuar gjithnjë e më shumë të rinjve palestinezë martesën. Ai shtoi se dasma masive u ka dhënë atij dhe 249 dhëndurëve të tjerë mundësinë të festonin martesat e tyre, pavarësisht rrethanave të vështira.Për Munir al-Tatarin, festa u shoqërua me dhimbjen e humbjes së familjarëve. Ai tha se nëna e tij dhe disa të afërm të tjerë ishin vrarë gjatë luftës, ndërsa shtëpia e familjes ishte shkatërruar gjithashtu.
Ai tha se do të dëshironte që nëna e tij të ishte aty për të ndarë me të ditën e martesës.
“Pavarësisht bllokadës dhe luftës në Gaza, ne do të festojmë dhe do të rikthejmë shpresën në zemrat tona”, tha ai.
Sipas komitetit organizues, për të marrë pjesë në dasmën masive kishin aplikuar 11.622 persona.
Prej tyre, 1.335 i plotësonin kushtet e pjesëmarrjes, ndërsa 250 dhëndurë u përzgjodhën përmes shortit. /AA