Nuk mjaftuan shpirti luftarak dhe rikthimi i madh në pjesën e dytë, Kosova mposhtet nga Italia

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar nga Italia me rezultat 4:3, në një ndeshje dramatike të zhvilluar sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në kuadër të Grupit 10 të “Main Round”-it për kualifikimet e Kupës së Botës 2028.

Dardanët, ndonëse u gjendën në disavantazh (0:3), treguan karakter dhe shpirt të madh luftarak, duke u rikthyer fuqishëm në pjesën e dytë dhe duke barazuar rezultatin e duke luftuar deri në fund për rezultat pozitiv.

Megjithatë, përpjekjet e tyre nuk mjaftuan pasi në minutat e fundit italianët realizuan golin e fitores.

Ramadan Alaj shënoi dy gola për Kosovën, ndërsa një herë në listën e golashënuesve u regjistrua Fitim Krasniqi.

Për Italinë realizuan Michele Podda, Giovanni Pulvirenti, Carmelo Musumeci dhe Giuliano Fortini.

Pas fitores ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e parë, Kosova mbetet me tri pikë në vendin e dytë të grupit. Italia prin me gjashtë pikë, ndërsa Gjeorgjia është pa pikë.

Dardanët do të kenë mundësinë për të kërkuar rezultat më të mirë në ndeshjen e kthimit ndaj Italisë, më 10 nëntor në udhëtim, kurse ndeshjen e fundit do ta zhvillojnë më 24 shkurt 2027 kundër Gjeorgjisë në Prishtinë.

Në “Elite Round” avancojnë drejtpërdrejt fituesit e 12 grupeve dhe katër kombëtaret më të mira të vendeve të dyta. Tetë ekipet e tjera të vendeve të dyta do të kërkojnë kualifikimin përmes plejofit, ku katër prej tyre sigurojnë avancimin në raundin e fundit.