Osmani: Koha është sfida kryesore për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”
Këshilltari për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Vllaznim Osmani, ka thënë se përgatitjet për organizimin e këtij eventi kanë nisur më shumë se një vit më parë, por ka theksuar se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Osmani ka treguar se gjatë funksionimit të komitetit tranzitor organizativ, ku bënin pjesë Komuna e Prishtinës, përfaqësues të Qeverisë dhe Komiteti Olimpik, janë realizuar disa nga detyrat fillestare, përfshirë përzgjedhjen e logos, krijimin e ueb-faqes dhe hartimin e masterplanit për Lojërat Mesdhetare.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se organizimi i Lojërave kërkon koordinim të mirë ndërinstitucional, përmbushje të obligimeve ndaj pronarëve të eventit dhe përgatitje të detajuara për secilin projekt.
“Është bërë një punë më shumë se njëvjeçare si pjesë e organizimit të asaj kohe, kur ka qenë komiteti organizativ i Lojërave Mesdhetare, komiteti tranzitor ku ka bërë pjesë Komuna e Prishtinës, përfaqësuesit e Qeverisë edhe Komiteti Olimpik. Detyrat që i kemi marrë atëherë si komitet tranzitor organizativ janë kryer kryesisht dhe kanë pasur të bëjnë me përzgjedhjen e logos, krijimin e ueb-faqes dhe krijimin e masterplanit për Lojërat Mesdhetare. Një punë shumë e madhe është bërë dhe kanë mbetur shumë punë të tjera për t’u kryer”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka theksuar se për realizimin e këtij organizimi nevojitet bashkëpunim i vazhdueshëm mes institucioneve, si dhe përkushtim dhe ekspertizë profesionale.
Sipas tij, njëra nga sfidat kryesore është koha e kufizuar deri në mbajtjen e Lojërave, ndërsa ka përmendur edhe nevojën për zgjidhjen e çështjeve financiare dhe institucionale.
“Një punë e mirë është bërë dhe ka ende shumë punë, problemi i vetëm është koha, meqë nuk kemi shumë kohë. Kërkohet edhe përmbushja e obligimeve. Kryeqyteti është nënshkrues i kontratës bashkë me Komitetin Olimpik, ndërsa Qeveria është garantuese e fondeve. Po shpresoj që këto çështje shumë shpejt do të zgjidhen dhe do të gjendet një modalitet për kalimin e kësaj, jo vetëm për çështje financiare, por edhe çështje të tjera”, u shpreh Osmani./dukagjini