Haxhiu pret në takim kryetarët e grupeve parlamentare, u kërkon koordinim për interesa të përbashkëta
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim kryetarët e grupeve parlamentare.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu u shpreh se në takim u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv për punën që i pret, prioritetet si Kuvendi, si dhe për organizimin e seancave parlamentare në muajt në vijim.
Haxhiu po ashtu u kërkoi koordinim të plotë për interesa të përbashkëta. /Zëri
Postimi i plotë:
Sot prita në takim kryetaret dhe kryetarët e grupeve parlamentare, me të cilët zhvilluam një diskutim të hapur dhe konstruktiv për punën që na pret, prioritetet si Kuvend si dhe për organizimin e seancave parlamentare në muajt në vijim.
Në Kuvend, secili grup parlamentar përfaqëson bindje dhe qëndrime të ndryshme, dhe kjo është pjesë e natyrshme e pluralizmit demokratik. Është e rëndësishme që për interesat e përbashkëta të kemi koordinim të plotë, të respektojmë dallimet dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët aty ku ekzistojnë mundësitë për bashkëpunim.
Qytetarët presin nga ne përgjegjësi, përkushtim dhe vendimmarrje që adreson nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke dhënë përgjigje konkrete ndaj pritjeve të tyre.