Maqedonci dekoron me medaljen “Shërbim i Shquar” gjeneralin amerikan të Gardës Kombëtare të Ajovës

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim gjeneralmajorin amerikan Stephen E. Osborn, adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, të cilin e ka dekoruar me medaljen “Shërbim i Shquar” të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë takimit, Maqedonci e ka falënderuar gjeneralin Osborn për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe për rolin e tij në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Ajovës.

“Në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tij të shquar, përkushtimin dhe kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e nderova me Medaljen ‘Shërbim i Shquar’ të Ministrisë së Mbrojtjes”, ka deklaruar Maqedonci.

Ministri ka vlerësuar se partneriteti me Gardën Kombëtare të Ajovës ka pasur rëndësi të veçantë në transformimin dhe profesionalizimin e FSK-së, si dhe në ngritjen e kapaciteteve të saj operacionale.

Sipas Maqedoncit, ky bashkëpunim pasqyron marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka ritheksuar se SHBA-ja mbetet një nga partnerët kryesorë të Kosovës në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.