Përfundon ndërtimi i urës në Ajnoc të Kamenicës
Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar qytetarët se ka përfunduar ndërtimi i urës së re në fshatin Ajnoc të komunës së Kamenicës, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor i realizuar me investim prej 409.628 eurosh nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
Kjo urë moderne krijon kushte më të mira dhe më të sigurta për qarkullimin e banorëve, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve në këtë zonë.
“Përfundimi i këtij projekti është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”, ka thënë kryetari Rahimaj, transmeton “Zëri”.
Ai gjithashtu ka theksuar se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të komunës, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe krijimit të kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarët.