Shqipëria dhe Kosova zhvillojnë stërvitje të përbashkët për kërkim-shpëtim malor në Prevallë

Efektivë të Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile të Shqipërisë dhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët në kërkim-shpëtimin malor në Prevallë të Prizrenit.

Stërvitja është mbajtur nga 2 deri më 5 nëntor 2026, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, testimit të pajisjeve të reja dhe praktikimit të teknikave të kërkim-shpëtimit në terrene malore.

Gjatë aktivitetit është praktikuar edhe evakuimi i një personi të lënduar në terren malor.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se ky aktivitet synon forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave.

Sipas tij, stërvitjet e tilla kontribuojnë në përmirësimin e gatishmërisë për reagim në situata emergjente dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. /Zëri