Nënkryetarja e Prishtinës akuzon Muratin për bllokimin e kredisë 74 milionë euro për pastrimin e kryeqytetit

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po e bllokon nënshkrimin e kredisë prej 74 milionë eurosh për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit në rajonin e Prishtinës.

Musmurati ka bërë të ditur se gjatë një takimi me delegacionin e bankës gjermane KfW, ku ishte i pranishëm edhe kryeshefi i KRM “Pastrimi”, është rikonfirmuar se kredia ende nuk është nënshkruar nga ministri Murati, transmeton Zeri.info.

Sipas saj, përmes këtij financimi parashihej blerja e 100 kamionëve të rinj, vendosja e 10 mijë kontejnerëve dhe ndërtimi i një qendre për riciklimin e mbeturinave.

“Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës”, ka deklaruar Musmurati.

Ajo ka thënë se Komuna do të kërkojë forma të tjera për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, por ka paralajmëruar se qytetarët e Prishtinës nuk do ta harrojnë, siç është shprehur, bllokimin e këtij investimi./Zëri