Nisin punimet në segmentin rrugor Krushë e Madhe - Rahovec

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nisur realizimin e punimeve për stabilizimin e rrëshqitjes së dheut dhe ndërtimin e trotuarit për këmbësorë në urën që ndodhet në fshatin Brestovc të komunës së Rahovecit, në kuadër të segmentit rrugor R204, Krushë e Madhe–Rahovec.

Vlera e këtij investimi kap shumën prej 153 mijë eurosh, ndërsa afati i paraparë për përfundimin e punimeve është 60 ditë kalendarike.

Projekti ka për qëllim sanimin e rrëshqitjes së dheut, eliminimin e rrezikut për përdoruesit e rrugës, si dhe rritjen e sigurisë në komunikacion. Gjithashtu, ndërtimi i trotuarit do të krijojë kushte më të sigurta për lëvizjen e këmbësorëve dhe do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik.

Përmes këtij investimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë këtë segment rrugor.