Kontrolle të shtuara, inspektime në mbarë vendin për produktet që shiten online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre përmes platformave online, me fokus të veçantë në kontrollin e produkteve që transportohen drejt konsumatorëve në Kosovë.

Sipas komunikatës së IQMT-së, inspektimet po realizohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), duke përfshirë shërbimet postare në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë këtij aksioni, 10 ekipe inspektuese kanë realizuar mbi 24 inspektime, ku janë evidentuar parregullsi të ndryshme. Në mesin e shkeljeve të konstatuara janë raste kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe raste të mungesës së deklaracionit të prejardhjes së produktit dhe dokumentacionit përcjellës.

IQMT-ja ka bërë të ditur se subjekteve përkatëse u është dhënë afat për të prezantuar dokumentacionin e nevojshëm. Në rast të mosplotësimit të kërkesave ligjore, ndaj tyre do të ndërmerren masa përkatëse, përfshirë sekuestrimin e produkteve dhe shqiptimin e gjobave.

Kontrollet nuk janë kufizuar vetëm në produktet gjatë transportit, por përfshijnë edhe monitorimin e faqeve online të bizneseve, reklamimin e produkteve dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

Sipas komunikatës, aktivitetet inspektuese janë zhvilluar në tetë komunat kryesore të vendit dhe janë zgjeruar edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit, duke përfshirë Klinën, Istogun, Deçanin, Junikun, Rahovecin, Malishevën, Suharekën dhe Dragashin.

IQMT-ja ka ritheksuar përkushtimin për forcimin e mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, duke kërkuar që çdo produkt i tregtuar në Kosovë të jetë në përputhje me kërkesat ligjore.