Ylli i Beverly Hills ndahet nga jeta në moshën 50-vjeçare

Aktorja amerikane Kimmarie Johnson, e cila u shfaq në serialin e njohur "Beverly Hills, 90210", ka ndërruar jetë në moshën 51-vjeçare.

Ajo vdiq të mërkurën, pak më shumë se një javë pasi pësoi arrest kardiak në shtëpinë e saj, raporton Page Six.

Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga mbesa e saj, Rhonda Scott. Ajo tha se Johnson pësoi arrest kardiak më 27 tetor në shtëpinë e saj në Los Angeles, pas të cilit u dërgua me urgjencë në Spitalin Cedars-Sinai.

Sipas mbesës së saj, mjekët e diagnostikuan aktoren me një aneurizëm në zemër. Scott shtoi se Johnson ndërroi jetë në paqe të mërkurën pasdite pasi zemra e saj pushoi së rrahuri.

 

Në vitin 1998, Johnson u shfaq në një episod të sezonit të tetë të serialit të njohur për adoleshentë "Beverly Hills, 90210", në të cilin luajti rolin e Judy-t. Ajo u shfaq gjithashtu në komedinë "Dude, where's my car?" nga viti 2000, me protagonistë Ashton Kutcher dhe Seann William Scott.

Pasi lindi djalin e saj Cameron Nino në vitin 2003, ajo u tërhoq nga aktrimi për disa vite. Më vonë u rikthye në punë, duke u shfaqur në filma të pavarur dhe shfaqje teatrale.

Përveç aktrimit, Johnson ka punuar në prodhimin e filmave. Ajo ishte producente ekzekutive e filmit të vitit 2005 "The Last Eve", i cili u shkrua bashkë me regjisorin Young Man Kang dhe fitoi disa çmime në festivale të filmave të pavarur. Në vitin 2011, ajo lançoi markën e kozmetikës SkinGlow nga Kimmarie.