Komuna e Prishtinës arrin marrëveshje me punëtorët teknikë, greva pritet të përfundojë javën e ardhshme

Kryeqyteti ka arritur marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve teknikë që kanë qenë në grevë, ndërsa rikthimi i tyre në punë pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme.

Përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe prindërve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se veprimet e nevojshme administrative janë ndërmarrë dhe se pagesat e para për punëtorët janë realizuar të enjten.

“Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Ndërkohë, deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohet nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

“Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja ‘Pastrimi’”, thuhet në njoftim.

Komuna ka bërë të ditur se Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Po ashtu, në njoftim theksohet se shqetësimet e prindërve për higjienën në shkolla janë edhe shqetësime të institucioneve komunale.

“Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.

Në fund, Komuna ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate