Apeli ia ashpërson dënimin të akuzuarit për tentimvrasjen e gruas dhe vajzës, nga 7 në 10 vjet burgim

Gjykata e Apelit përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka rritur dënimin ndaj Bashkim Gashit, nga 7 vjet e 6 muaj burgim, sa ishte dënuar më 30 qershor 2025 nga Gjykata Themelore në Prizren, për tentativë vrasjeje ndaj bashkëshortes dhe vajzës së saj të mitur në Prizren.

Gjykata e Apelit vlerësoi se masa e mëparshme nuk ishte në përputhje me rrezikshmërinë e veprës penale dhe pasojat e shkaktuara.

Sipas njofitmit të Gjykatës së Apelit, bëhet e ditur se vendimi është marrë pas aprovimit të pjesshëm të ankesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, lidhur me lartësinë e dënimit ndaj të akuzuarit, raporton Zeri.info.

“Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës, më 26.10.2026 dhe pas analizimit dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, si dhe sipas detyrës zyrtare, ka konstatuar se i njëjti nuk ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e as shkelje të tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e tij. Po ashtu, ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë e ka vërtetuar gjendjen e fakteve dhe rrethanat e rastit, në bazë të të cilave është akuzuar dhe shpallur fajtor B.G”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit. /Zëri