Dy gola, një asistim dhe ëndrra te Milani – Aron Babaj tregon jetën te klubi i madh italian

Aron Babaj është një nga talentet më premtuese të futbollit kosovar, i cili po ndërton të ardhmen e tij në akademinë e një prej klubeve më të mëdha në botë, Milanit.

Mesfushori i ri është pjesë e rregullt e Kombëtares së Kosovës nga grupmoshat U16 dhe U17 deri te U18 ku është tani, duke mbrojtur vazhdimisht ngjyrat e vendit.

Sezonin aktual me Milanin U18, Babaj ka regjistruar nëntë paraqitje, duke realizuar dy gola dhe një asistim. Paraqitja e tij e fundit ndaj Cesenas ishte veçanërisht e rëndësishme, pasi realizoi të dy golat në fitoren 2-1 të skuadrës italiane. Megjithatë, për të, më e rëndësishme se realizimi personal ishte ndihma që i dha ekipit për t'i siguruar tri pikët.

Rrugëtimi i tij në futboll nisi në Norvegji, ku u zhvillua te klubet Skeid dhe Lyn. Pas kthimit me familjen në Kosovë, ai vazhdoi karrierën te Trepça dhe Prishtina e Re, duke arritur të luante edhe në Superligën e Kosovës në një moshë shumë të re.

Paraqitjet dhe potenciali i tij i hapën më pas dyert e Milanit, ku tashmë po përjeton një eksperiencë të rëndësishme për zhvillimin e tij.

Në një intervistë për Telegrafin, Babaj ka rrëfyer për jetën në Milano, larg familjes dhe vendlindjes, përshtatjen me ambientin e ri, rutinën e ngarkuar ditore dhe kërkesat e trajnerëve. Ai ka folur edhe për zhvillimin e tij si futbollist, dy golat ndaj Cesenas dhe ndikimin e babait të tij, Shpëtim Babaj, në rrugëtimin sportiv.

Jeta larg familjes dhe përgjegjësia te Milani

Të qenit pjesë e Milanit në një moshë kaq të re vjen me shumë emocione, por edhe me përgjegjësi të mëdha. Babaj pranon se familja dhe vendlindja i mungojnë, megjithatë komunikimi i përditshëm me njerëzit e afërt e ndihmon ta përballojë këtë largësi.

“Normalisht, më mungojnë shumë familja dhe vendi im. Por, çdo ditë që flas me ta, çmallem dhe më vjen buzëqeshja në fytyrë”, shprehet ai.

Përshtatja me ekipin dhe qytetin nuk ishte shumë e vështirë, pasi pritja nga bashkëlojtarët dhe stafi ishte shumë e mirë. Megjithatë, ai thekson se integrimi i plotë kërkon kohë, veçanërisht për shkak të gjuhës dhe kulturës së re.

“Nuk më është dashur shumë kohë për t'u përshtatur me ekipin, qytetin dhe jetën e re, sepse të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Megjithatë, për t'u përshtatur plotësisht duhet kohë. Duhet të mësoj kulturën, mentalitetin dhe gjuhën, sepse është shumë e vështirë të mos e flasësh gjuhën kur dëshiron t'i kuptosh plotësisht trajnerët dhe lojtarët. Por po përshtatem çdo ditë e më shumë”, tregon Babaj.

Ai e di se konkurrenca në një klub si Milani është shumë e madhe dhe se për të siguruar hapësirë duhet të punojë vazhdimisht, të jetë i përgatitur taktikisht dhe të marrë vendime të shpejta në fushë.

“Përgjegjësia është shumë e madhe, sepse jam në një nga klubet më të mëdha në botë dhe duhet të jem i zoti i vetes. Konkurrenca është shumë e madhe, pasi këtu ka lojtarë nga e gjithë bota dhe Milani sjell më të mirët. Duhet t'i bëj gjërat siç duhet, sidomos në aspektin taktik, të marr vendime të shpejta dhe të jem në kohën e duhur për të bërë atë që kërkohet nga unë”, shprehet ai.

Një fanellë që kërkon përgjegjësi

Për një futbollist të ri, të bëhesh pjesë e Milanit është një ëndërr e veçantë. Babaj e përshkruan si të jashtëzakonshme ndjesinë e të qenit pjesë e një klubi me histori dhe traditë kaq të madhe.

Edhe pse fillimi shoqërohej me emocione dhe pasiguri, sidomos për shkak të mosnjohjes së gjuhës, pritja nga bashkëlojtarët dhe stafi ia lehtësoi procesin e përshtatjes.

“Ndjesia është e jashtëzakonshme të jem pjesë e një klubi me histori kaq të madhe si Milani. Bashkëlojtarët, trajnerët dhe stafi më kanë pritur shumë mirë. Pavarësisht se fillimi nuk është i lehtë dhe ka shumë emocione, sepse mendoja se çfarë do të më thoshin dhe nuk e dija gjuhën, sapo hyra në fushë, të gjithë ishin shumë mikpritës dhe miqësorë”, kujton ai.

Për Babajn, fanella kuqezi nuk është vetëm një simbol i klubit, por edhe një përgjegjësi që kërkon përkushtim të përditshëm.

“Të veshësh këtë fanellë është një përgjegjësi për mua. Do të thotë që çdo ditë duhet të jap 100 për qind, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje, dhe të jem versioni më i mirë i vetes”, thekson mesfushori.

Një rutinë e ngarkuar: stërvitje, shkollë dhe mësimi i italishtes

Dita e zakonshme e Babajt në Milano nis herët në mëngjes dhe është e organizuar në detaje. Zgjimi në orën 07:00, mëngjesi gjysmë ore më vonë dhe udhëtimi drejt kampit stërvitor janë pjesë e rutinës së tij të përditshme.

Në orën 09:15, futbollistët duhet të jenë gati për punën në palestër, ku zhvillojnë ushtrime aktivizuese ose të forcës. Më pas, në orën 10:00, dalin në fushë për stërvitje, e cila zakonisht zgjat deri në 11:15 ose 11:30.

Pas përfundimit të saj, puna vazhdon me analiza individuale të ndeshjeve dhe trajtime rikuperuese. Secili lojtar, sipas nevojës, mund të zgjedhë masazhin, trajtimin me ujë të ftohtë apo procedura të tjera.

Babaj vlerëson lart profesionalizmin e stafit teknik, duke treguar se secili futbollist punon edhe individualisht për t'i përmirësuar aspektet ku ka më shumë nevojë.

“Puna me trajnerët është shumë e mirë dhe profesionale. Secili lojtar, në bazë të analizave dhe kërkesave të trajnerëve, zhvillon stërvitje individuale për t'u përmirësuar në aspektet ku ka nevojë. Unë po përpiqem të përmirësohem më shumë në aspektin defensiv, veçanërisht në agresivitet”, tregon ai.

Rreth orës 12:30, futbollistët kthehen në hotel, ndërsa dreka është nga ora 13:00 deri në 13:30. Pas saj, Babaj ka kohë për pushim, por edhe për shkollën online dhe kursin e gjuhës italiane, të cilin e ndjek tri herë në javë.

Edhe mbrëmjet janë të organizuara. Darka shërbehet rreth orës 19:00-19:30, ndërsa koha pas saj kalohet me bashkëlojtarët, duke shikuar ndeshje ose duke luajtur PlayStation, pingpong dhe bilardo. Në orën 22:00, të gjithë duhet të jenë në dhomat e tyre. Daljet në qytet me shokët janë të rezervuara për ditët e pushimit, tregon Aron Babaj.

Përmirësimi taktik dhe përballjet me lojtarë më të mëdhenj

Babaj e vlerëson pozitivisht sezonin e tij deri më tani, por është i vetëdijshëm se ende ka shumë hapësirë për përmirësim. Një nga ndryshimet kryesore që ka vërejtur që nga ardhja në Itali është aftësia për të mbuluar më shumë distancë gjatë ndeshjeve.

“Sezonin tim deri më tani e vlerësoj pozitivisht, por gjithmonë ka vend për përmirësim. Mundohem që në çdo ndeshje dhe stërvitje të jem më i mirë se më parë”, thotë ai.

Për një mesfushor, përmirësimi fizik dhe taktik është thelbësor. Babaj thekson se në Itali punohet shumë në aspektin taktik dhe se kjo është një prej fushave ku po mëson çdo ditë.

“Një ndryshim që kam vërejtur në lojën time që nga ardhja te Milani është se mbuloj më shumë distancë gjatë 90 minutave, gjë që është shumë e rëndësishme për një mesfushor. Gjithashtu, çdo ditë mësoj më shumë nga ana taktike, sepse në Itali dihet që punohet shumë në këtë aspekt”, shprehet ai.

Përballjet me futbollistë më të fortë dhe më të mëdhenj në moshë e ndihmojnë të zhvillohet më shpejt, pasi kërkojnë lexim më të mirë të lojës dhe vendimmarrje të shpejtë.

“Kur luan kundër lojtarëve të fortë dhe më të mëdhenj në moshë, zhvillohesh më mirë. Duhet ta lexosh lojën më shpejt, të marrësh vendime të duhura dhe të shpejta, ndërsa kundërshtarët janë edhe shumë të fortë fizikisht”, shpjegon mesfushori kosovar.

Dy golat ndaj Cesenas, një shtysë për vazhdimësinë

Paraqitja ndaj Cesenas ishte një prej momenteve më të veçanta të sezonit për Babajn. Në fitoren 2-1 të Milanit, ai realizoi të dy golat, duke u bërë vendimtar për skuadrën.

Megjithatë, talenti kosovar nuk e vendos theksin te arritja personale, por te kontributi për ekipin dhe tri pikët e fituara.

“Ishte një moment shumë i veçantë për mua, por më shumë se golat, isha i lumtur që ndihmova skuadrën dhe që i morëm tri pikët. Këta gola më ndihmojnë të rris vetëbesimin dhe shpresoj të shënoj edhe më shumë në të ardhmen, duke ndihmuar skuadrën të marrë pikë të tjera”, deklaron Babaj.

Dy golat përbëjnë një shtysë të rëndësishme për vazhdimësinë e tij, në një sezon ku synon të fitojë sa më shumë përvojë dhe të përmirësohet në çdo aspekt të lojës.

Shpëtim Babaj, modeli, kritikuesi dhe përkrahësi më i madh

Futbolli është pjesë e trashëgimisë familjare të Aron Babajt. Babai i tij, Shpëtim Babaj, është një emër i njohur i futbollit kosovar, me karrierë në disa shtete dhe me fanellat e shumë klubeve.

Shpëtim Babaj ka luajtur për Rudarin dhe Šmartnon në Slloveni, Zoryan në Ukrainë dhe Shakhter Karagandyn në Kazakistan. Në Shqipëri ka mbrojtur ngjyrat e Besës, Elbasanit, Gramozit dhe Tiranës, ndërsa në Kosovë ka qenë pjesë e Trepçës, Trepçës '89, Hajvalisë dhe Ferizajt.

Për Aronin, përvoja e babait ka qenë një ndihmë e madhe në rrugëtimin e tij. Këshillat dhe përvojat e tij shërbejnë si udhërrëfyes, sidomos për të shmangur gabimet që mund të ndikojnë në zhvillimin e një futbollisti të ri.

Aron Babaj me prindërit e tij kur nënshkroi për Milanin

“Babai ka ndikuar shumë në rrugëtimin tim si futbollist, sepse edhe ai ka luajtur futboll dhe ka përjetuar shumë gjëra gjatë karrierës së tij. Ajo që ka kaluar në futboll dhe gabimet që ka bërë, më shërbejnë si këshilla që të mos i përsëris të njëjtat dhe të ec në rrugën e duhur”, tregon ai.

Bisedat për futbollin janë të përditshme. Pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje, ata diskutojnë për paraqitjen e tij, ndërsa Babaj tregon me humor se nganjëherë i duket sikur babai e ka përcjellë çdo lëvizje të tij.

“Flasim çdo ditë dhe diskutojmë për futbollin. Pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje, kur bisedojmë, më tregon gjëra që në përgjithësi më kanë ndodhur. Ndonjëherë i them vetes: ‘Mos më ka parë apo më ka incizuar?’”, rrëfen ai duke qeshur.

Ai e përshkruan të atin si njeriun që njëkohësisht e përkrah më së shumti, por edhe kërkon më shumë prej tij.

“Ai është njëkohësisht kritikuesi dhe përkrahësi im më i madh. Kërkon që gjithçka ta bëj në mënyrë perfekte dhe nuk toleron asgjë, por asgjë!”, thotë Babaj me humor.

Sa i përket ngjashmërive në lojë, ai beson se i ka trashëguar disa cilësi teknike, veçanërisht goditjet dhe pasimet. Babai, nga ana tjetër, i thotë se është më i mirë se ai që kishte qenë si futbollist, por Aroni ende nuk bindet plotësisht.

“Besoj se kemi ngjashmëri në mënyrën e të luajturit, sidomos në teknikë. Babai më thotë se jam më i mirë se ai që ka qenë, por nuk e besoj dhe gjithmonë mendoj se po ma thotë për të më bërë qejfin”, tregon ai.

Megjithatë, një aspekt ku dëshiron të arrijë nivelin e të atit është mentaliteti dhe vendosmëria.

“Sa i përket mentalitetit, ende nuk jam në nivelin e tij dhe nuk e kam grindën që ka ai, por po punoj çdo ditë për ta përmirësuar këtë aspekt”, përfundon Aron Babaj. /telegrafi