Kush do t’i mbikëqyrë prokuroritë në Kosovë?, Gashi cakton tetë prokurorë përgjegjës
Në kohën kur vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë, kryeprokurori i Shtetit ka marrë vendim për disa ndryshime në sistemin prokurorial.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit si mbikëqyrës të prokurorive respektive në vend.
Lidhur me këtë vendim, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të se më 3 nëntor 2026, Gashi ka caktuar prokurorët mbikëqyrës, në bazë të kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit.
“Prokurorët e caktuar do të jenë kompetentë për mbikëqyrjen e menaxhimit dhe efikasitetit të prokurorive përkatëse, si dhe për mbështetjen, këshillimin dhe monitorimin e prokurorive në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për Telegrafin.
Sipas vendimit, mbikëqyrësit janë caktuar në këtë mënyrë:
- Bahri Hyseni dhe Aleksandër Lumezi do të jenë mbikëyres për Prokurorinë e Apelit.
- Lulzim Sylejmani dhe Veton Shabani për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe atë në Gjilan.
- Besim Kelmendi dhe Shqipdon Fazliu për Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe atë në Prizren.
- Shqipdon Fazliu dhe Ersan Qavolli për Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
- Agron Qalaj dhe Ersan Qavolli –për Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe atë në Pejë.
Zyra e Kryeprokurorit ka sqaruar se përgjegjësitë e prokurorëve mbikëqyrës përfshijnë edhe trajtimin e lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, identifikimin e sfidave dhe problematikave institucionale, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve.
“Mbikëqyrja do të bëhet gjithmonë duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Po ashtu, prokurorët e caktuar do të marrin pjesë në kolegjiumet e prokurorive përkatëse, ndërsa do të kenë rol edhe në mbështetjen dhe këshillimin e tyre për zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit.
Sipas kësaj zyre, vendimi synon forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe fuqizimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm.
“Ky vendim ka për qëllim forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe fuqizimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm në funksion të përmbushjes së prioriteteve dhe objektivave të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për Telegrafin.
Kujtojmë se krahas ndryshimeve në sistemin prokurorial pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt, ndryshime ka pasur edhe në Policinë e Kosovës, si emërime dhe caktime të reja në disa pozita të rëndësishme, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, Departamentin e Hetimeve, Inteligjencën dhe Analizën, Departamentin e Kufirit dhe drejtoritë rajonale.
Policia ka thënë se ato janë bërë në bazë të procedurave ligjore dhe nevojave organizative.